Fjalë Kyçe

Mbi 2 mijë e 200 raste të dhunës në familje për 10 muaj: Maltretimi i grave çoi edhe deri tek vrasjet

Mbi 2 mijë e 200 raste të dhunës në familje për 10 muaj: Maltretimi i grave çoi edhe deri tek vrasjet

Pikërisht njerëzit më të afërt, në raste të shumta kanë lënduar fizikisht apo psiqikisht dikë në familje.
E gjithë kjo hy në kuadër të “Dhunës në familje”, e që në Kosovë përgjatë viteve të fundit kanë qenë në numër të madh.

Lëndime fizike, dhunë psiqike, e deri tek vrasjet brenda familjes kanë qenë shqetësuese për sigurinë në Kosovë, sidomos atë të grave.

Lidhur me këtë nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se që nga themelimi trajtojnë me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje.

Ndër vite, Policia theksohet se ka realizuar edhe fushata vetdijësuese për pasojat e dhunës në familje.

“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është; si parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, u theksua nga Policia e Kosovës për lajmi.net.

Por pavarësisht këtij angazhimi të deklaruar nga Policia e Kosovës, raste të shumta pati kur pikërisht rastet e dhunës në familje u lanë anash nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.

Shumë prej atyre burrave të cilët ushtruan dhunë ndaj grave u liruan në procedurë të rregullt, e më pas këto lëshime çuan edhe deri në vrasjen e këtyre të fundit.

Vetëm brenda periudhës janar-tetor 2022, në Kosovë janë raportuar 2 mijë e 273 raste të dhunës në familje.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje të dhënë nga Policia e Kosovës për lajmi.net.

Ndërsa sa i përket vrasjeve brenda familjes, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se në periudhën e lartcekur numri i rasteve të vrasjeve brenda familjes në periudhën janar-tetor 2022 ishte katër.

Në mesin e viktimave ishin një femër dhe katër meshkuj.

Por në këtë numër u shtuan edhe dy vrasje të grave që ndodhën në muajin nëntor.

Më 25 nëntor 2022, një grua u vra nga bashkëshorti i saj në Prishtinë.

Viktima, grua 63 vjeç është vrarë nga bashkëshorti i saj 70 vjeçar.

70 vjeçari, I.G., vrau gruan e tij duke e goditur me sëpatë.

Vrasja e rëndë ka tronditur gjithë opinionin, ndërsa i dyshuari tashmë gjendet në burg.

E një rast tjetër tejet tronditës ndodhi në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, saktësisht në klinikën e Gjinekologjisë.

H.M., ishte 32 vjeçarja nga Lipjani e cila u vra nga ish-burri i saj derisa po priste që të sillte në jetë foshnjën në javën e 41-të.

32 vjeçarja u godit tri herë radhazi me armë zjarri derisa ishte në oborrin e Gjinekologjisë.

Rasti i gruas nga Lipjani që u vra nga ish-burri derisa po pritej të bëhej nënë ishte një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura brenda vitit 2022.

E pas dy ditëve të këtij rasti, fund jetës i dha edhe vetë dorasi. S.H., i dyshuari në vrasjen e 32 vjeçares kreu vetëvrasjen me armë zjarri në shtëpinë e tij në Shtime.

E nga Policia e Kosovës kanë theksuar se rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, e ato gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar , sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, theksohet nga Policia e Kosovës.