Fjalë Kyçe

Mbi 90 mijë vaksinime për pesë ditë, e premtja rekord

Mbi 90 mijë vaksinime për pesë ditë, e premtja rekord

Mbi 90 mijë vaksina anti-COVID janë administruar në Kosovë në pesë ditët e fundit, me të premten që është regjistruar si dita rekord deri tash për vaksinimet ditore. Vetëm sot janë administruar rreth 19 mijë e 500 doza, me shifrat që po vazhdojnë të përditësohen ende në uebfaqen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të hënën në Kosovë u administruan mbi 17 mijë doza, ndërsa të martën ishin 16 mijë e 905. E mërkura regjistroi gati 18 mijë, ndërsa e enjtja për herë të parë çoi shifrën e vaksinimeve ditore mbi 19 mijë. Të enjten u administruan 19 mijë e 248 vaksina, ndërsa deri tash të premten shifra është për 200 më e lartë se dita paraprake.

Në Kosovë vaksinime nuk ka të shtunave dhe të dielave, ndërsa terminët në uebfaqen “e-Kosova” janë të zënë edhe gati dy javë.

Pos vaksinimeve rekorde, edhe shifrat e rasteve pozitive kanë regjistruar vlerat më të larta deri tash. Të premten janë regjistruar 1128 raste të reja. Në nivel vendi janë 5493 raste aktive me COVID-19. Deri tash janë regjistruar 113 mijë e 781 raste pozitive, me 106 mijë e 9 prej tyre që janë shëruar. 2279 persona kanë humbur betejën me virusin.

Sa i përket vaksinimeve, deri tash janë administruar rreth 580 mijë doza. Nga to rreth 203 mijë qytetarë i kanë marrë të dy dozat, ndërsa janë rreth 174 mijë me nga një dozë.