Një gafë e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Frederik Veseli i ka hequr nga duart fitoren skuadrës së tij Empoli, i cili luajti kundër Kaljarit në Sardenjë, duke e pësuar golin e barazimit 2-2 në minutat shtesë.
Edhe pse një barazim në transfertë ishte një rezultat i mirë po të mendosh se Empoli vinte nga 4 humbje radhazi, te skuadra e tij nuk do të jenë aspak të kënaqur se si i ikën nga duart tri pikët pikërisht për faj të mbrojtësit shqiptar.
Pas një topi të gjatë drejt zonës, Veseli gaboi në mënyrë të pashpjegueshme largimin e sferës, duke i dhënë mundësinë Farias që të shfaqej i vetëm para portierit Provedel i cili kishte mbetur i shtangur në vend duke menduar se mbrojtësi do të largonte rrezikun. Farias nuk gaboi dhe vulosi barazimin 2-2 e sigurisht duke kthyer Veselin në personazhin negativ të kësaj ndeshje.
Ndërkohë te Atalanta, Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha kanë qenë titullarë në ndeshjen e Atalantës kundër Frozinones.
Bergamaskët fituan 5-0 në transfertë, duke konfirmuar kështu formën e mirë që po kalojnë në kampionatin italian.