Fjalë Kyçe

Mbyllja e bastoreve u hapi rrugë lulëzimit të bizneseve në të zezën

Mbyllja e bastoreve u hapi rrugë lulëzimit të bizneseve në të zezën

Edhe pse nga muaji maj i vitit 2019, bizneset e lojërave të fatit janë aktivitete të ndaluara me ligj, pronarët e tyre prapë se prapë kanë gjetur një mundësi që t’i hapin ato në formë online.

Vetëm gjatë periudhës janar-mars 2024, Policia e Kosovës për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm’’, ka zbuluar 12 raste. Ndërkaq, gjatë vitit 2023, janë zbuluar 42 faqe të paligjshme të bixhozit.

Ekspert i kibernetizmit, Mentor Hoxhaj thotë për KP se Kosova momentalisht nuk ka kufijtë e saj digjital, kufij të cilët do t’i caktonin qartë politikat se çka mund të hy dhe të dal.

Hoxhaj ka paralajmëruar personat që po luajnë në faqe online se po rrezikojnë të dhënat dhe pasurinë monetare të tyre.

“Të gjithë ata të cilët luajnë rrezikojnë edhe të dhënat e tyre dhe pasurinë monetare… Zgjidhja do të ishte në nivelin e ISP-ve dhe autoriteteve përkatëse për të marrë veprimet që të mos jenë të qasshme lirshëm… Kjo ndërlidhet edhe me atë të cilën kemi theksuar dhe më parë që Kosova momentalisht nuk ka kufijtë e saj digjital, dhe ata kufi do t’i caktoj qartë politika se çka mund të hy dhe të dalë”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Lojërave të Fatit, Istref Veliu në një përgjigje me shkrim ka theksuar se mbyllja e lojërave të fatit, ka sjellë humbje ekonomike dhe tani ato para po derdhën në buxhetin e Maqedonisë.

Sipas tij, nëse këto biznese legalizohen, do të zvogëlohet fenomeni i bizneseve të paligjshme dhe do të ndihmonte në mbushjen e buxhetit të shtetit.

“Duke i legalizuar, zvogëlojmë fenomenin e bizneseve të paligjshme dhe ndihmojmë në mbushjen e buxhetit të shtetit. Vendimi i qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit ka hapur rrugën për zhvillimin e bizneseve të paligjshme. Vlen të theksohet se me mbylljen e këtyre bizneseve janë shuar mijëra vende pune. Herët a vonë institucionet do ta kuptojnë se rruga e vetme për ilegalitetin e lojërave të fatit është legalizimi i tyre dhe krijimi i një ligji të ri konform ligjeve dhe rregullave të BE-së”, ka theksuar Veliu në një përgjigje me shkrim.

E një qytetarë i cili dëshiron të mbetet anonim, ka rrëfyer se nuk është shumë i varur, pasi që jo gjithmonë fiton, por pas mbylljes ka vazhduar të luaj në formën online.

Sipas tij, duhen të legalizohen edhe në Kosovë, por në kushtet që i parasheh shteti, duke paguar taksat e shtetit, dhe si kusht kryesor të jetë edhe një moshë e caktuar dhe jo pranë instituteve shkollore.

“Ka shumë vite që luaj bastore, kemi nisur në moshë të re,, kur bashkë me shoqëri kemi filluar të krijojmë ato vendet ku jemi mbledhur bashkë, dhe jemi mësuar. Për vite të tëra, jam pak a shumë ,por jo në atë aspektin e dëmshëm, i varur prej bastoreve sepse ndonjëherë fitojmë, ndonjëherë jo,… Normalisht si merakli të bastoreve, ka bërë më të vështirë ajo koha kur vendosën me i mbyll, por unë bashkë me shokët kemi gjetur mënyra të tjera për të luajtur edhe online. Në Kosovë, megjithatë mund të ekzistojnë që janë dhe punojnë si lokale fizike… Meqenëse në shumë shtete po praktikohet dhe po legalizohen dita ditës, mendoj që edhe në Kosovë bënë të legalizohen ato, por të kenë kushtet që i parasheh shteti, si për të gjitha bizneset tjera, edhe bastoret që mund të hapen, të paguajnë taksat e shtetit, por mendoj që si kusht kryesorë të jetë edhe një moshë e caktuar…01:28 Por normalisht të mos jenë afër shkollave, çerdheve dhe institucioneve tjera të shtetit, por të jenë në një distancë të caktuar,” ka thënë ai.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit ishte marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona./KSP