Komisioni që po heton Ilir Metën, të premten, pritet t’ia dërgojë Kuvendit raportin me propozimin e shkarkimit të presidentit të Shqipërisë për shkelje të Kushtetutës.
Votimi i këtij raporti në Kuvend do të bëhet më 10 qershor, ka njoftuar Tch.
Javën e ardhshme, grupi parlamentar socialist pritet t’i kërkojë Konferencës së Kryetarëve futjen në rend dite për diskutim dhe votim të raportit të Komisionit Hetimor më 10 qershor.
Nisma për shkarkimin e Metës ka ardhur nga partia në pushtet, ajo Socialiste që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama. Sipas PS-së, Meta ndër të tjera ka shkelur Kushtetutën e vendit me ndërhyrje në procesin zgjedhor. Është akuzuar edhe për dhënie të shtetësisë pa procedurë të rregullt për kosovarët.
Kjo është nisma e dytë e PS-së për ta shkarkuar Metën. Herën e parë, PS-ja u mjaftua me disa rekomandime.