Fjalë Kyçe

Me Grenellin në krye të inteligjencës amerikane, Trumpi thotë se do ta emërojë një ambasador të ri në Gjermani

Me Grenellin në krye të inteligjencës amerikane, Trumpi thotë se do ta emërojë një ambasador të ri në Gjermani

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar të dielen se është në kërkim të një ambasadori të ri në Gjermani, pasi që Richard Grenell është emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës amerikane.

“Do ta emëroj një ambasador në Gjermani”, iu ka thënë Trumpi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej për një udhëtim në Indi, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Krahas të qenit ambasador në Gjermani, Grenelli kohë më parë ishte emëruar prej Trumpit i dërguar i posaçëm i SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i kishte thënë Reutersit gjatë javës së kaluar se Grenelli mund të mbetej ambasador, me gjithë se është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës, duke e pasur përsipër mbikëqyrjen e komunitetit amerikan të inteligjencës, të përbërë prej shtatëmbëdhjetë agjencive.

Është e paqartë se për sa kohë do të shërbejë Grenelli si shef i inteligjencës amerikane. Trumpi ka deklaruar të dielen se ai ka në mendje pesë kandidatë për këtë pozitë, njëri prej të cilëve do të bëhej drejtor i përhershëm.

“Në një të ardhme jo edhe aq të largët, do t’i bëjmë të ditur emrat e këtyre kandidatëve”, ka thënë Trumpi.