Fjalë Kyçe

Me turne në shah festohet Pavarësia e Kosovës në Vjenë të Austrisë

Me turne në shah festohet Pavarësia e Kosovës në Vjenë të Austrisë

Tashmë e disa vjet që nga themelimi, Klubi i Shahut “Arbëria” nga Vjena po garon suksesshëm në Ligën B të Federatës së Shahut të Vjenës edhe atë me dy grupe, atë të grupit A dhe të grupit B.

Përveç garimit në Ligë, ky klub i shahut po tregohet aktiv edhe në përditshmërinë e anëtarëve të tij dhe dashamirëve të tjerë të shahut, duke mbajtur takime të rregullta me anëtarët, duke trajnuar vazhdimisht, duke organizuar herë pas here shkëmbime përvojash në shah me mysafirë të nderit apo mjeshtër të ftuar nga vendlindja e kështu me radhë.

Tradicionalisht klubi organizon turne në shah për nder të festave kombëtare, asaj të 28 Nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë dhe 17 Shkurtit, ditës së pavarësisë së Kosovës. Kjo tregon një pjekuri të bashkatdhetarëve tanë këtu në Austri, të cilët janë kreativë dhe përmes sportit manifestojnë ndjenjat e tyre të atdhedashurisë, por dhe i tregojnë botës se sporti i lidh dhe afron popujt, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre apo bindjet dhe qëndrimet personale. Prandaj, në këto turne marrin pjesë edhe të ftuar të nacionaliteteve të tjera, të cilët priten me mikpritje e bujari shqiptare.

Në turneun me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, që u mbajt më 24 shkurt 2019, në restorantin “Kastaniengarten”, të shqiptarit Shpëtim Bujupi, njëherit anëtar dhe lojtar i klubit, gjithsej garuan 14 shahistë, nga të cilët disa janë me përvojë më të gjatë.

Aktivitetin e hapi Anton Marku, sekretar i klubit, kurse një fjalë përshëndetëse mbajti z. Anton Imre, zyrtar i komunës Schwechat nga partia ÖVP. Gjyqtare e lojërave ishte znj. Margit Almert nga Federata e Shahut e Vjenës. Pas 7 raundeve me një sistem zviceran të lojërave, vendi i parë i takoi Kadri Berbatit me gjithsej 6 pikë, vendi i dytë Ismir Ferizoviçit me 5,5 pikë dhe vendi i tretë Fatos Krasniqit me 5 pikë.

Për tri vendet e para u ndanë nga klubi kupa të veçanta dhe çmime modeste monetare, kurse për të gjithë pjesëmarrësit klubi ndau mirënjohje për pjesëmarrjen në këtë aktivitet kulturor dhe sportiv.

Trajneri i klubit Agron Çika u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen në këtë turne, i falënderoi të pranishmit dhe uroi që kësisoj aktivitetesh të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Aktivitetin e përcolli për së afërmi shkrimtari shqiptar nga Vjena Besim Xhelili, i cili bëri dokumentimin.