Prestigjozja britanike “The Sun” ka raportuar sot se Chelsea po punon për të marrë në Londër mbrojtësin shqiptar të Napolit, Elseid Hysajn.
Shkodrani 24-vjeçar, i cili iu bashkua Napolit 3 sezone më parë, pas ngulmimit të Maurizio Sarrit, është gati të ndërrojë sërish ambient, për t’u ribashkuar edhe njëherë me teknikun italian.
Me largimin e Sarrit dhe ardhjen e Ancelottit, mbrojtësi shkodran ka nisur disa takime nga stoli, por sipas menaxherit të tij, kjo është bërë për shkak të rotacionit.
Gjithsesi Sarri u ka kërkuar drejtuesve të Chelseat një mbrojtës në krahun e djathtë, duke vënë në krye të listës pikërisht futbollistin e Kombëtares Shqiptare.
Kontrata e Hysajt me Napolin është e vlefshme deri në vitin 2021, ndërsa klauzola për prishjen e saj është përcaktuar 50 milionë euro.
Gjithsesi londinezët janë të bindur se mund ta marrin edhe më lirë, nëse e blejnë mbrojtësin që në janar, por e lënë në huazim te Napoli, deri në fund të këtij sezoni, raportojnë mediet shqiptare.