Fjalë Kyçe

Mehaj dhe Rama takojnë komandantin e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë: Mbështetja e SHBA-së ka qenë jetike

Mehaj dhe Rama takojnë komandantin e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë: Mbështetja e SHBA-së ka qenë jetike

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim komandantin e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneral Christopher Cavoli.

“Me këtë rast, gjeneral Cavoli, duke uruar ministrin Mehaj për detyrën e ministrit të mbrojtjes, premtoi se SHBA, sikur deri më tash do të vazhdojë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-në në procesin e zhvillimit dhe të tranzicionit në përputhje me objektivat strategjik”, thuhet në kumtesë, transmeton Klankosova.tv.

“Nga ana e tij, ministri Mehaj e falënderoi gjeneral Cavolin dhe shprehu mirënjohjen e thellë për SHBA-në dhe rolin e pazëvendësueshëm për vendin tonë si dhe në të arriturat e gjithëmbarshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”.

Mehaj ka theksuar se mbështetja e deritashme nga SHBA ka qenë jetike në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së.

Ai ka shprehur mirënjohjen e thellë për mundësinë historike të pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në operacione jashtë vendit krahë forcave amerikane.

“Ministri Mehaj shprehu nderin dhe respektin e madh për përfshirjen e Kosovës në mesin e vendeve pritëse gjatë stërvitjes “Defender-Europe 21” si dhe pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në këtë stërvitje kaq të rëndësishme për vendin dhe forcat tona”.

Me gjeneral Cavolin, takim të ndarë, ka zhvilluar edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili falënderoi qeverinë dhe forcat amerikane për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.