Fjalë Kyçe

Mehaj takime në Pentagon, ripërsërit ofertën për bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë

Mehaj takime në Pentagon, ripërsërit ofertën për bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë

Në vazhdim të takimeve në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj me delegacionin e tij, u pritë edhe nga zv.Asistentja e Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper dhe më pas në nivel të delegacioneve realizuan konsultimet bilaterale për çështjet e mbrojtjes.

Në njoftim thuhet se ministri Mehaj me Cooper u dakorduan bashkërisht për veprime konkrete sa i përket anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, blerjeve ushtarake përmes FMS (Foreign Military Sale), avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes kibernetike, si dhe rritjen e pjesëmarrjes në misione dhe ushtrime të përbashkëta ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së.

“Tani na mbetet që të gjitha objektivat e përbashkët të angazhohemi t’i realizojmë bashkërisht, me besim e vullnet të plotë, përkushtim dhe angazhim vetëmohues, si dhe qeverisje të mirë dhe transparencë të plotë. Partneriteti me SHBA-në dhe mbështetja e pazëvendësueshme që më është konfirmuar është ngjarje historike për të ardhmen e sigurt të vendit tonë dhe gjithë rajonit.” tha në fund ministri Mehaj.

Në njoftimin për media thuhet se Cooper, ka shprehur konsideratat e larta për zhvillimet e suksesshme në fushën e mbrojtjes, duke falënderuar posaçërisht ministrin Mehaj për përkrahjen e forcave amerikane në procesin e akomodimit të refugjatëve afganë.

Cooper në emër të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, konfirmoi përkrahjen për Kosovën, si partnere dhe eksportuese e paqes në nivelin global, të dëshmuar edhe me rastin e bashkë-zbarkimit në misionin paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, si dhe rolin e madh në nivelin rajonal.

“Nga ana e tij Ministri Mehaj, e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e lartë znj Cooper, për përkrahjen e vazhdueshme dhe partneritetin e shkëlqyeshëm duke i shprehur gatishmërinë maksimale për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë, ndërveprueshmërinë ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane, duke vënë theksin në ushtrimet e përbashkëta si dhe mundësitë për bashkë-zbarkime të reja në misione të përbashkëta me Ushtrinë Amerikane”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Mehaj e ritheksoi ofertën e Kosovës për SHBA-në për krijimin e një baze të përhershme ushtarake në Kosovë, për të kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në nivelin rajonal.