Shefqet Fetahaj nga fshati Raushiq para disa ditëve ka humbur jetën pasi aksidentalisht një makineri ia preu dorën në një kompani betoni në Pejë.
Ai disa ditë më pas ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke mos arritur t’i bëjë ballë plagës së dorës.
Indeksonline nga burimet e saj merr vesh se firma ku punonte i ndjeri ka marrë një vendim për familjen e tij.
Sipas burimeve, kompania do t’i ndërtojë një shtëpi familjes Fetahaj që humbën djalin.
Po ashtu, kompania në fjalë ka marrë vendim që pagë mujore t’i dërgoj familjarëve.
Ky vendim i është kumtuar familjes, ku kjo e fundit e ka mirëpritur.
Viktima Fetahaj nga Spitali i Pejës ishte dërguar për në QKUK, mirëpo, pa sukses për shpëtimin e jetës së tij.
Ndryshe, familja e të ndjerit e ka akuzuar QKUK-në për neglizhencë.Sipas tyre, është çudi si e si erdhi deri te vdekja e tij, pasi viktima edhe pse kishte humbur dorën, gjendjen e kishte stabile.
Për vdekjen e Shefqetit ka reaguar edhe Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve.
Ata përmes një kumtese për media kanë kërkuar që të ofrohet siguri dhe mbrojtje më e madhe në punë, sidomos për ata të sektorit privat.