Fjalë Kyçe

Merret vendimi UP-ja pezullon profesorin Xhevat Krasniqi

Merret vendimi UP-ja pezullon profesorin Xhevat Krasniqi

Universiteti i Prishtinës ka marrë vendim për ta pezulluar nga detyra profesorin e Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqin.

Në vendimin e siguruar nga KOHA thuhet se Krasniqi do të pezullohet menjëherë, “derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe me rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të prof. Xh.K. me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”, thuhet nw vendimin e Rektoratit.

Këshilli i Etikës ka thënë tutje se refuzon sulmet nga persona brenda dhe jashtë UP-së, duke kërkuar “përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulmi ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit”.

Këshilli i Etikës ia rekomandon Rektoratit suspendimin e Xhevat Krasniqit

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës i ka rekomanduar Rektoratit që ta suspendojë profesorin Xhevat Krasniqi, i cili është denoncuar për ngacmim seksual.

Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Universitetit të Prishtinës se i kishte ngacmuar seksualisht, duke iu thënë disa prej tyre “kur dush të bëj masazh”.

Sipas një ankueseje, profesori i Fakultetit të Edukimit po jepte edhe lëndën e Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, e aty thuhet se kishte “demonstruar me duar fjalën ‘masazh’.

“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, thuhet në ankesë.