Fjalë Kyçe

Mësimi nisi, por a dalin sot pagat për grevistët?

Mësimi nisi, por a dalin sot pagat për grevistët?

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), nuk e dinë nëse punëtorëve të sektorit publik, të cilët kanë qenë në grevë gjatë muajit shtator, do t’u dalin nesër pagat e muajit shtator.

Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së, të shtunën në konferencën për media ku u bë i ditur pezullimi i grevës, ndër të tjera tha se sipas informatave të tij, pagat për grevistët do të procedohen të hënën më 3 tetor.

I kontaktuar nga kallxo.com sot, Hykolli nuk pranoi të deklarohet duke thënë se do ta pres ditën e nesërme për t’u deklaruar.

“Po presim për nesër, nëse jo, tani dal e tregoj se çka, qysh e pse. Sot po du me hesht, kështu që flasim nesër” – ka thënë shkurtimisht përmes telefonit Atdhe Hykolli.

Në ndërkohë, edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk ka informacion se çka do të ndodhë me pagat e grevistëve.

Ai tha se nuk ka asnjë informacion.

“Unë nuk e kam asnjë informacion se a do të dalin pagat. Por nëse nuk dalin pagat deri me datën pesë, atëherë qytetarët e Kosovës le ta kuptojnë se Qeveria po don që greva me vazhdu. Nëse nuk procedohen pagat, ta kuptojnë të gjithë edhe mediat, edhe OJQ-të, edhe prindërit, se Qeverisë po iu dashka greva dhe do të shënonte një rast që nuk ka ndodhur kurrë më parë” – ka thënë Jasharaj përmes telefonit.

Ai ka thënë se i beson deklaratës së kryetarit të BSPK-së.

“Unë besoj që Hykolli deklaratën e ka thënë sepse ka pasur informacion nga Qeveria. Nuk besoj që deklarata e tij ka qenë ‘veq sa për të thënë’” – ka thënë Jasharaj.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com i ka dërguar pyetje ministrit Hekuran Murati dhe Zyrës së Kryeministrit.

Përgjigje ka kthyer vetëm zëdhësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai ka thënë se sonte nuk mund të sigurojë një përgjigje rreth kësaj çështjeje. “Dëgjohemi nesër gjatë ditës” – ka thënë Kryeziu.

Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023.