Fjalë Kyçe

Mësohen arsyet e vrasjes së 27 vjeçarit në Prishtinë

Mësohen arsyet e vrasjes së 27 vjeçarit në Prishtinë

Përderisa ishte në lëvizje me veturë, në drejtim të tij u shkrepën dy plumba. Arma e zjarrit i shkaktoi plagë të papërballueshme 27-vjeçarit Abid Jasharaj. Babai i tre fëmijëve ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, rreth orës 11:30, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, tha ekipi mjekësor.

Për vrasjen që ndodhi në pikë të ditës në kryeqytet, nuk është arrestuar ende asnjë njeri. Policia tha se po punon në sqarimin e të gjitha rrethanave se si ndodhi vrasja. Madje, ajo dha edhe një njoftim për media ku u përshkrua mënyra se si humbi jetën i riu në kryeqytet.

“Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit është plagosur një person, derisa po qarkullonte me veturën e tij në rrugën e sipërshënuar. I njëjti nuk u ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe në vendngjarje ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës A. J., mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha policia.

Burime shumë të besueshme të Gazetës Express brenda organeve të hetuesisë bëjnë me dije se motivi që dyshohet që e çoi drejt vdekjes 27-vjeçarin është një mosmarrëveshje me familjarët e gruas së tij.

“Nuk ka të ndaluar njëherë për njëherë. Ka dyshime rreth rastit që ka pasë mosmarrëveshje me miqtë e tij, me familjarët e gruas. Dy plumba janë shkrepur në drejtim të veturës së tij. Të gjitha organet e hetuesisë po merren me rastin”.

Brenda shtatë ditëve Kosova u trondit nga dy vrasje. Sot një javë u vra me armë zjarri Mentor Aliu, 25 vjeç në Ferizaj, dyshohet se vrasjen e kreu 17-vjeçari SH.R. Ndërsa, sot po nga arma e zjarrit nga jeta u privua edhe Abid Jasharaj, 27 vjeç. Autorët e kësaj vrasjeje ndodhen në arrati.

Rasti i Abid Jasharajt është vrasja e tretë në Kosovë brenda këtij viti. Vrasja e parë në vitin 2019 ka ndodhur më 1 janar, në një familje nga komuna e Gjilanit. Dyshohet se burri ka vrarë aksidentalisht gruan e tij, përderisa ishte duke festuar me armë Vitin e Ri. Policia tha se burri J. J. (1956) pas ndërrimit të moteve kishte dalë para shtëpisë me pushkën e gjuetisë dhe nga pakujdesia ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, tani të ndjerë Z.J. (1956). Vrasja e dytë ndodhi javën që e lamë pas, Mentor Aliu u vra në Ferizaj dyshohet se motivi është një hakmarrje e vjetër mes familjes së tij dhe të dorasit.

Sidoqoftë, gjatë vitit 2018, vendi ynë është tronditur jo pak nga krimet e rënda. Përmes armës së zjarrit (shpeshherë pa leje), armëve të ftohta e mjeteve të forta u privuan nga jeta burra, gra, fëmijë e të porsalindur. Janë gjithsej 35 persona që u bënë pjesë e statistikave në listat e të vrarëve nga dora e njeriut.

Në 32 raste të vrasjeve të raportuara në Policinë e Kosovës, jetën e humbën 35 persona. 29 femra dhe 6 meshkuj, thuhet në statistikat e Policisë dhënë Gazetës Express. Nëntë vrasje janë të regjistruara në rajonin e Prishtinës, shtatë në Gjakovë, gjashtë në Pejë. Në Prizren, Ferizaj e Gjilan nga tri vrasje dhe një në Mitrovicën Veriore.

Në tri vitet e fundit, 2018-a cilësohet si viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Policia tha se në vitin 2018 u vranë 35 persona, në vitin 2017 ndodhën 27 vrasje, ndërsa në vitin 2016 ndodhën 26 vrasje.