Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Leshaj, së bashku me homologun kosovar, Ekrem Mustafa, kanë nënshkruar “Marrëveshjen për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”.
Nga pika e kalimit kufitar Morinë, Lleshaj zbuloi edhe mesazhin e kryeministrit Edi Rama, i cili nuk ishte i pranishëm.
“Për mua është një kënaqësi e veçantë që në prag të vitit të ri, të jem këtu për të nënshkruar këtë marrëveshje të rëndësishme. Së pari, Kryeministrit (Haradinaj) i sjell përshëndetjet e Kryeministrit Rama, i cili nuk preferoi të vinte, sepse më tha kemi 50% sukses kësaj radhe, do të vij vetëm kur ta heqim plotësisht, dmth. kontrollin në kufi”, tha Lleshaj, raporton Balkanweb.
Ministri më tej tha se marrëveshja ka një rëndësi të veçantë sepse me të ulim me 50 % kohën e pritjes, duke eliminuar plotësisht kontrollet me kufirin tonë të përbashkët.
“Ne na duhet që çdo hap të lirisë ta shoqërojmë me rritjen e sigurisë. Besoj se ky është vetëm një hap. Hapi tjetër është se shumë shpejt qeverisë do i mundësojmë të firmosin një marrëveshje të rëndësishme”, u shpreh ai.