Fjalë Kyçe

Mësohet dita se deri kur Albin Kurti do të qëndrojë në spital

Mësohet dita se deri kur Albin Kurti do të qëndrojë në spital

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ose gjatë ditës së nesërme pritet të lirohet nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku qe dy ditë ishte duke u trajtuar për shkak të një infeksioni.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, ka thënë për “Zërin” se gjendja shëndetësore e Kurtit tashmë është më e mirë dhe më stabile. Përndryshe, Ramadani gjatë ditës së djeshme para medieve ka konfirmuar se Kurti nuk është i prekur me grip, por nga një infeksion në mushkri.

“Gjendja e tij është më e mirë dhe më stabile. Parametrat klinikë i ka stabilë, situata është në përmirësim dhe besoj që nesër, eventualisht pasnesër do të lirohet nga Klinika”, ka thënë Ramadani.

Edhe deputetë nga partia e Kurtit e kanë konfirmuar se gjendja e Kurtit tashmë është më e mirë. Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë për gazetën se Kurti ka pasur probleme shëndetësore dhe është trajtuar në institucione publike shëndetësore në vend, kështu siç ka thënë ajo, ka dhënë shembull për qytetarët që edhe ata të kenë besim në institucionet e vendit.

“Fatmirësisht gjendja e tij është e mirë, pasi ai ka pasur probleme shëndetësore. Ai si çdo qytetar është trajtuar në institucionet publike dhe ka dhënë shembull se kur ne kemi nevojë u drejtohemi institucioneve tona, sepse ne dëshirojmë që çdo qytetar të ketë besim në këto institucione, prandaj ne angazhohemi që sistemi publik të zhvillohet, duke mos anashkaluar atë privat. Unë shpresoj që gjendja e tij do të jetë duke u përmirësuar, pasi që tani ai është më mirë”, ka thënë ajo.

Përndryshe, me të marrë lajmin se Kurti ka pasur probleme shëndetësore kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli i kanë uruar shërim të shpejt atij.