Ruajta e mjedisit do të jetë mesazhi i sivjetmë i “Newborn”-it, simbolit të Pavarësisë së Kosovës. Ideatori i këtij obelisku, Fisnik Ismaili, ka bërë të ditur se në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës do të jepen mesazhe për ruajtjen e ambientit, për problemet me ndotjen e ajrit, për energjinë e të tjera, shkruan Gazeta “Zëri”.
Në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës obelisku i “Newborn”-it do të ngjyroset me ngjyra të theksuara, që kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës për ruajtjen e ambientit, për mbrojtjen e ajrit, si dhe për riciklimin e mbeturinave.
Kjo është bërë e ditur nga krijuesi i këtij obelisku, Fisnik Ismaili, i cili gjatë një interviste ka thënë që kjo ide i ka ardhur si pasojë e ajrit të ndotur në vend. Ismaili ka bërë të ditur po ashtu se këtë vit monumentit të “Newborn”-it do t’i krijohet një bazament, me qëllim që në të ardhmen të shfrytëzohet edhe si atraksion turistik nga njerëzit që vijnë në qytetin e Prishtinës.
Në planet e Ismailit hyn edhe hapja e një restoranti afër “Newborn”-it me emrin e këtij monumenti, si dhe do të shiten suvenire me figura të këtij monumenti.