Cristiano Ronaldo ka vendosur që të marrë distancat nga Lionel Messi, pasi vendosi që verën e lënë pas të transferohet te Juventusi, por kjo nuk do të thotë se dueli mes dy yjeve të futbollit botëror të mos ekzistojë.
Përkundrazi, teksa dje CR7 ka luajtur edhe ndeshjen e fundit me “bardhezinjtë”, është koha për të bërë bilancet, të cilat shohin Lionel Messin në kuotën 51 gola për vitin 2018, ndërsa Ronaldo e ka mbyllur me 49 realizime, pas dopietës me Sampdorian.
Argjentinasi ka kaluar kuotën 50 gola në tetë nga nëntë vitet e fundit. Mes viteve 2010-2018, vetëm në 2013-ën e pa veten që të shënonte 45 gola në 47 ndeshje.
Ndërsa Cristiano, me përjashtim të këtij viti, e kishte kaluar gjithmonë kuotën 50 gola, nga viti 2011 e në vazhdim, madje duke realizuar 69 gola në 2013- ën, që ishte viti më i errët i yllit të Barcelonës.
Gjithsesi, “pleshti” argjentinas është ai që mban rekordin absolut të realizimeve në një vit diellor, duke realizuar çmendurinë e 90 golave personalë në vitin 2012, diçka që duket e pamundur për t’u thyer nga dikush apo për t’u përsëritur edhe nga vetë argjentinasi, transmeton Panorama Sport.
Por pavarësisht të gjithave dhe duke parë shifrat e vendosura nga Mesi e Ronaldo, lufta në distancë është e garantuar që do të vazhdojë, sidomos ajo për “Këpucën e Artë 2019”, me Messin që numëron 15, ndërsa Cristiano 14 gola, që të dy kryegolashënues të kampionateve respektive