Fjalë Kyçe

Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës

Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës

Në një intervistë për televizionin boshnjak “O Kanal”, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është shprehur se Serbia duhet të ndalojë fushatën kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale ose institucionet ndërkombëtare.

“Një shembull është edhe anëtarësimi në Interpol. Të gjithë në rajon janë të vetëdijshëm se krimi i organizuar është një nga problemet kryesore në të gjitha vendet tona dhe anëtarësimi i Kosovës në Interpol ndihmon bashkëpunimin, jo vetëm të Kosovës me Interpolin, por për të gjithë rajonin është një kontribut për të luftuar krimin e organizuar nga ky rajon. Nuk e kuptoj pse Serbia do të merrte një pozicion të tillë, sipas meje, jo shumë të arsyeshëm dhe aspak konstruktive. Sidoqoftë, unë besoj në dialog, në partneritet dhe shpresoj që së shpejti palët të ulen në tryezën e dialogut dhe ne jemi fuqishëm pro normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Meta, transmeton A2news.

Meta u pyet edhe për Mini Schengenin, duke u shprehur se iniciativat që ndihmojnë bashkëpunimin tonë janë gjithmonë të mirëpritura, por jo duke provokuar debate të panevojshme.

“Çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirëse, është e mirëpritur. Kjo duhet të ishte një parakusht për të promovuar dhe konsideruar iniciativa rajonale premtuese dhe të dobishme. Iniciativa që ndihmojnë bashkëpunimin tonë janë gjithmonë të mirëpritura, por jo duke provokuar debate të panevojshme, duke u përpjekur për të margjinalizuar dikë ose një vend, apo t’i japësh protagonizëm dikujt tjetër. Vetëm partneriteti dhe gjithëpërfshirja mund të rrisë besimin mes vendeve, mes njerëzve dhe mund të reduktojë dhe eliminojë të gjitha barrierat, qofshin ato legale, administrative apo burokratike në rajonin tonë”, tha presidenti i Shqipërisë, Meta.