Fjalë Kyçe

Miftaraj: Sistemi i drejtësisë me mosveprim po i promovon fajdetë

Miftaraj: Sistemi i drejtësisë me mosveprim po i promovon fajdetë

Afera e fajdeve, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka shpërfaqur lidhjet e grupeve kriminale me politikën, Prokurorinë dhe Policinë. Në intervistën e javës Miftaraj ka deklaruar se kjo aferë ka shpërfaqur zyrtarë të korruptuar brenda Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës, të cilët kanë bërë çmos që individët e këtij grupi të amnistohen dhe praktikisht deri më tash janë amnistuar, sepse kanë qenë të paprekshëm.

Sipas tij, lidhjet e këtij grupi të dyshuar kriminal me politikën janë të pashmangshme. Ai ka deklaruar se të gjitha matrapazllëqet kryhen në emër të politikës dhe të njëjtit shihen në dreka, darka e ahengje me ta. Sipas Miftarajt, amnistimi i këtij grupi për një kohë kaq të gjatë dëshmon që blerja e sistemit të drejtësisë ndodh shkallë-shkallë.

Këto grupe, sipas tij, arrijnë që më së shumti të blejnë amnistinë në Polici dhe Prokurori, por kur nuk arrijnë aty gjykatën e kanë instancën e fundit për ta blerë, qoftë duke i liruar, qoftë duke marrë dënime të buta që nuk e arrijnë qëllimin e vet.

KD: Që nga java e kaluar mediat e Grupit KOHA kanë publikuar një seri shkrimesh dhe videoincizimesh që kanë nxjerrë në pah një rrjet fajdexhinjsh, të cilët gjatë aktivitetit kriminal kanë përmendur lidhje me zyrtarë të lartë shtetërorë. Si e komentoni ju aferën me fajde që nxiti shumë reagime në opinion?

Miftaraj: Në radhë të parë duhet parë si shumë pozitive që më në fund një fenomen apo një veprimtari e tillë kriminale mirë e ndërtuar pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës ka filluar të hetohet dhe të ndiqet nga prokuroria dhe po ashtu ka marrë vëmendjen mediale dhe të publikut. Fjala është për një fenomen ku në shumicën e rasteve viktima janë qytetarët e Kosovës, të cilët humbin me dhjetëra, qindra e mijëra euro si rezultat i grupeve kriminale mirë të organizuara dhe që për shumë vjet kanë pasur mbrojtje nga Policia, Prokuroria, gjykatat dhe politika. Fatmirësisht, një fenomen i cili është mbajtur fshehtë nga sistemi i drejtësisë dhe politika është zbuluar nga media e pavarur dhe gazetarë të guximshëm dhe me integritet.