Shkencëtarët e Afrikës së Jugut identifikuan një variant të ri të coronavirusit që thonë se është bërë shkak për një rritje së fundmi të numrit të infeksioneve me coronavirus në Gauteng, provinca më e populluar e vendit.
Ndonëse në Kosovë ende nuk është regjistruar asnjë rast me variantin e ri të COVID-19, Omicron, infektologët dhe ekspertët thonë se edhe Kosova rrezikon të preket nga ky mutacion i ri që ka prekur tashmë disa vende perëndimore.
Mikrobiologu Lul Raka, ka shpjeguar në detaje variantin e ri të coronavirusit.
ÇKA ËSHTË OMIKRONI?
Ndryshimet gjenetike janë dukuri normale në biologjinë e viruseve. Viruset, sa më shumë që kanë mundësinë të shumëzohen, aq më të mëdha do t’i kenë gjasat për të pësuar mutacione dhe për të krijuar variante të reja të tyre.
Në mesin e këtij muaji, në Bocuanë dhe Afrikën e Jugut u zbulua një variant i ri i koronavirusit, të cilin OBSH e emërtoi Omicron (ose varianti B.1.1.529). Ky variant u bë dominues në Afrikën e Jugut për një periudhë të shkurtër kohore.
PSE KA KRIJUAR SHQETËSIM?
Varianti Omicron ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e mëparme – mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore. Këto proteina janë çelës i virusit për të hyrë në qelizat e trupit tonë dhe njëkohësisht janë shënjestra kryesore e përgatitjes së vaksinave kundër COVID-19.
Ndryshimet e tilla masive të virusit kanë ngritur shqetësime se sa mund të ndikojnë ato në përhapje, pasqyrën klinike dhe uljen e efikasitetit të vaksinave përmes mbrojtjes nga antitrupat. Megjithatë, në mbrojtjen ndaj virusit ndikim të rëndësishëm ka edhe imuniteti qelizor.
Varianti i ri ka nxjerrë në pah tri pyetje që kërkojnë përgjigje shumë të shpejtë:
Sa është i transmetueshëm varianti i ri?
A përhapet më shpejt sesa varianti delta?
A ka pasqyrë më të rëndë klinike?
A janë antitrupat pas vaksinimit efikas dhe sa është rreziku i reinfektimit?
Aktualisht, nuk kemi përgjigje të sakta për këto pyetje dhe ato kërkojnë të presim së paku edhe 2-3 javë.
ÇKA DUHET TË BËJMË?
VAKSINOHU!
Kushdo që nuk është vaksinuar ende, duhet të vaksinohet menjëherë. Duke u vaksinuar do të merrni linjën e parë të mbrojtjes kritike ndaj virusit dhe do të rritet imuniteti në popullatë. Rritja e sasive të përgjithshme të antitrupave (pas dozave të dyta dhe të treta përforcuese) mund të kompensojë mospërputhjen eventuale ndërmjet vaksinës dhe virusit.
DOZAT PËRFORCUESE TË VAKSINAVE!
Të fillohet sa më shpejt me dhënien e dozave përforcuese në Kosovë, duke filluar prej grupeve më të rrezikuara.
ZBATONI MASAT- PA PANIKË!
Reagimi në panik do ta përkeqësojë gjendjen edhe tek popullata edhe tek vendimmarrësit.
Populli duhet t’i ZBATOJË masat parandaluese (distancimi social, mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, shmangia e qëndrimit në ambiente të mbipopulluara, ajrosja e mjediseve të qëndrimit ditor dhe larja e duarve).
Kurse vendimmarrësit duhet të fuqizojnë inspektimet e zbatimit të masave parandaluese dhe vendimeve në terren (përfshirë hyrjet në kufi), sidomos gjatë këtij muaji me festat e fund vitit.
NË nivel global duhet t’u dërgohen vaksina atyre shteteve që kanë më së shumti nevojë.
Kompanitë që kanë prodhuar ARN-vaksina, brenda 2-3 muajsh mund të kenë variante të reja të vaksinave të drejtuara specifikisht kundër varianti të ri Omikron.