Pasi priti plot dy dekada për të rikthyer në Torino Kupën e Italisë, Juventusi tashmë e ka shtrirë dominimin përveç Serisë A gjithashtu edhe te kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në vend.
Synimi është i qartë, pasi “Zonja e vjetër” kërkon të gllabërojë gjithçka në Apenine dhe skuadra e Massimiliano Allegri-t fillon mbrojtjen e trofeut pikërisht në orën 20:45 në Stadiumin “Dall’Ara”, ku do të ndeshet me Bolonjën.
Në vitin 2008 pas suksesit ndaj Interit në finale Roma u barazua me bardhezinjtë me 9 trofe, sidoqoftë me trajnerin toskan në timon Juventusi ia doli mbanë të fitojë katër edicionet e fundit të Kupës së Italisë, për t’u shkëputur përfundimisht nga verdhekuqtë.
Dy javët e pushimeve kaluan shpejt, gjithsesi rekordmenët e Italisë janë të çlodhur dhe krejtësisht të qetë, teksa e mbyllën fazën e parë në Serinë A me plot 9 pikë avantazh kundrejt Napolit, duke barazuar vetëm me Genoa-n në shtëpi dhe Atalanta-n në Bergamo, ndërkaq trajneri Allegri duhet të mendojë gjithashtu edhe për Superkupën e Italisë, që do të luhet të mërkurën e ardhshme në Jeddah, në Arabinë Saudite ndaj Milanit, prandaj me shumë gjasa 51-vjeçari nga Livorno do të ruajë lojtarët kryesorë, për të menduar pikërisht për Superkupën, ku dy edicionet e fundit Juventusi është mundur respektivisht nga Milani dhe Lazio.
Në krahun tjetër trajneri i skuadrës emiliane Filippo Inzaghi, që ka mbajtur veshur për plot katër sezone fanellën e Juves, natyrisht nuk e ka shumë mendjen te Kupa, pasi Bologna e mbylli fazën e parë të kampionatit italian në vendin e tretë nga fundi, me vetëm 13 pikë gjithsej, pra vetëm çerekun krahasuar me kuotën e pikëve që kanë grumbulluar bardhezinjtë në skajin tjetër, të tabelës së renditjes.
Të gjithë klubet pra në ndjekje të Juventusit, në një aktivitet ku sigurisht duke patur parasysh impenjimet e shumta të “zonjës së vjetër” shpresat janë më të mëdha për të triumfuar.
Ky është turi i 1/8 dhe në Kupën e Italisë sipas formulës së zakonshme tani përfshihen edhe tetë skuadrat me renditjen më të mirë nga edicioni i kaluar i Serisë A. Edhe në këtë raund ashtu si edhe në turin çerekfinal, sfidat e këtij kompeticioni do të mbahen me tek ndeshje, sidoqoftë në orën 18:00 në fushë do të zbresë edhe Milani, që nuk e fiton Kupën e Italisë që nga viti i largët 2003.
Në prag të Superkupës “kuqezinjtë” do të vizitojnë Sampdorian në Marassi. Dy klubet numërojnë 9 Kupa Italie, Milani 5 dhe Sampi 4, gjithsesi edhe në kampionat pas fazës së parë ekipi i Gatuzos numëron vetëm dy pikë më shumë sesa klubi gjenovez.
Më herët në orën 15:00 Lazio që ka humbur dy finale në katër edicionet e fundit të Kupës së Italisë do të përballet në kryeqytet me një ekip kundërshtar si Novara, që aktualisht luan në Lega Pro dhe klasifikohet në mes të renditjes në Grupin A. Në Spanjë pa u mbyllur mirë ndeshjet e para të fazës së 1/8 në Kupën e Mbretit skuadrat i rikthehen kampionatit, transmeton SS.
Në Mestalla do të luhet takimi Valencia – Real Valladolid, duel interesant ndërmjet dy ekipeve që u mundën minimalisht në kupë dhe që në gjysmën e dytë të tabelës në Primera Division ndahen nga vetëm një pikë. Gjithsesi nuk do të mungojë as Le Championnat, me kampionatin francez që ofron duelin e radhës të kampionëve në fuqi të Paris SG, që pas eliminimit të turpshëm në Kupën e Ligës nga Guingamp do të përballen në orën 17:00 në Stade de la Licorne me një kundërshtar modest si Amiens.