Fjalë Kyçe

Miliona euro më pak të hyra si pasojë e pandemisë

Miliona euro më pak të hyra si pasojë e pandemisë

Pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 përveç pasojave shëndetësore po lë pasoja edhe nëpër ekonominë globale, por edhe për ekonominë e Kosovës është pasuar me pasoja të cilat do të kushtojnë kohë për t’i rikuperuar.

Dy institucionet financiare prej të cilave Kosova inkason shumicën e të ardhurave të shtetit, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë pësuar rënie të të hyrave gjatë këtij viti, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, Odat Ekonomike të Kosovës, kanë raportuar se gjatë periudhës së pandemisë në Kosovë ka pasur afër 1 miliard euro rënie të qarkullimit në bizneset e Kosovës.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës për lajmi.net kanë thënë se këtë vit kanë realizuar 33 milionë më pak të hyra tatimore sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar që nënkupton se ka rreth 14 milionë më pak të hyra se planifikimet.

Sipas ATK-së, kjo është si pasojë e rënies së qarkullimit të bizneseve të cilët për periudhën e njëjtë kanë pasur rreth 20 për qind rënie të qarkullimit krahasuar me vitin e kaluar.

“Gjatë periudhës janar-gusht 2020 kemi realizuar të hyrat tatimore 302.3 milionë euro, shumë kjo e cila krahasuar me periudhën e vitit të kaluar rezulton se kemi 33 milionë euro më pak të hyra se periudha e njëjtë e vitit 2019. Nëse bëjmë krahasim me planin e rishikuar që kemi rreth 14 milionë euro të hyra më pak se sa plani i rishikuar. Kjo sigurisht vjen si rezultat i pandemisë që më konkretisht mund ta theksojmë sepse gjate periudhës mars deri në korrik 2020 kemi një rënie të qarkullimit të bizneseve me shumë prej rreth 900 milionë euro, apo më saktësisht 898 milionë euro shumë kjo që nëse e zbërthejmë në përqindje i bie qe 20 % ka rënie të qarkullimit në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.”, shprehen nga ATK për lajmi.net.

ATK ka treguar se para pandemisë ka pasur një periudhë të suksesit ku nëse bëhen krahasime me vitin e kaluar në periudhën 1 janar – 18 mars, janë realizuar 11.2 për qind tejkalim nga plani i hartuar për të hyrat.

“ATK-ja gjatë këtij viti ka dy periudha një periudhë që mund ta quaj periudhe suksesi nga 1 janari deri me 18 mars- deri në fillim të pandemisë ku gjatë asaj periudhe nëse bëjmë krahasime me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi pasur një tejkalim për 11.2 % më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar më tepër se plani 3.62 %.”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tutje, nga ATK thonë se plani i rishikuar për të hyrat ka mbetur në shifrën 491,8 milionë, por gjë që është vështirë e arritshme duke u bazuar në trendin aktual.

“Plani i rishikuar për të hyrat tatimore ka mbetur që të jetë 491.8 milionë euro, shumë kjo e cila është pothuajse e paarritshme duke u bazuar në trendin aktual që jemi duke e parë në rënien e qarkullimit nga ana e bizneseve, por njëkohësisht edhe në trendin e të hyrave ku bizneset edhe pse ato të cilat po deklarojnë qarkullimin në mungesë të likuiditetit nuk po kanë mundësi t’i paguajnë detyrimet e tyre tatimore.”, thonë nga ATK.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës shprehen se edhe në këtë periudhë të vështirë po luftohet ekonomia jo-formale dhe se situata po kthehet drejt normalitetit ku kthimi i stafit në punë do t’i rrisë intensitetin implementimit të aktiviteteve.

“Sigurisht, ATK çdoherë zhvillon aktivitete në luftimin dhe parandalimin e ekonomisë jo-formale, për të cilën ka edhe mekanizma të veçantë, të cilët aktivitete e tyre i zhvillojnë në përputhje më Strategjinë Kombëtare të Luftimit të Ekonomisë jo-formale. Situata e pandemisë, sikurse në çdo sektor ka dhënë efektin e vet edhe në këtë segment, mirëpo gradualisht jemi duke ju rikthyer në normalitetit, duke përfshi këtu edhe kthimin e stafit në punë ku presim gjithë-përfshirje të implementimit të aktiviteteve tona.”, thonë nga ATK.

E situatë edhe më e keqe rreth të hyrave është në Doganat e Kosovës. Sipas zëdhënësit të doganave, Adriatik Stavileci, gjatë këtij viti në dogana ka 107 milionë më pak të hyra sesa vitin e kaluar dhe kjo për shkak të pandemisë.

“Si rezultat i pandemisë dhe rënies së konsumit ne kemi parë që në periudhën janar-gusht 2020 me periudhën e njëjtë 2019 dallimi është mbi 100 milionë euro.”, tha Stavileci për lajmi.net.

Më tutje, Stavileci pohon vitin e kaluar kanë qenë të grumbulluara 760 milionë euro në periudhën janar-gusht, derisa këtë vit është 653 milionë ose 107 milionë më pak.

“Gjatë kësaj periudhe që po flasim ne kemi pasur të grumbulluara 760 milionë euro, ndërsa në periudhën janar-gusht 2020 kemi 653 milionë, që nënkupton se janë më pak 107 milionë euro apo shprehur në përqindje janë rreth 12 përqind më pak”, pohon Stavileci.

Në anën tjetër, Kosova pritet të përballet me një rënie ekonomike prej 6.4 për qind sipas trendit aktual dhe kjo vlen vetëm nëse situata me pandeminë shkon duke u lehtësuar.

Ekspertët vlerësojnë se situata ekonomike në Kosovë është emergjente dhe ka nevojë për ndërhyrjen e shtetit. Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës as dje nuk ka arritur të votohet ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.