Fjalë Kyçe

Ministres Bajrami i kërkohet t’i heqë nga përdorimi tekstet e hartuara vitin e kaluar

Ministres Bajrami i kërkohet t’i heqë nga përdorimi tekstet e hartuara vitin e kaluar

Largim nga përdorimi të teksteve shkollore për klasat 1,2,6,7,10,11, të hartuara vitin e kaluar, i kanë rekomanduar ministres së re të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), drejtorë shkollash, koordinatorë të cilësisë në nivel shkolle, koordinatorë të cilësisë në nivel komune e përfaqësues të Këshillit të Prindërve të pesë komunave.

Ky rekomandim ka dalë pas disa takimeve që kanë zhvilluar ditë më parë këta përfaqësues të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Podujevës e Drenasit me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në raportin me rekomandime që e ka hartuar MASHT-i, të cilin e ka siguruar gazeta, bëhet e ditur se disa nga qëndrimet që janë dhënë në këto takime janë që tekstet kanë gabime përmbajtësore, nuk përshtaten me trendët bashkëkohorë, nuk janë kreative, nuk ndihmojë zhvillimin e shkathtësive dhe nuk i përshtaten moshës. Për këtë e kanë konsideruar si hap të domosdoshëm anulimin e këtyre librave.

“Vërejtjet ishin: Largim të menjëhershëm nga shkolla i këtyre teksteve. Tekstet duhet të jenë sipas kërkesave të dokumenteve kurrikulare dhe plan-programeve mësimore, tekstet të përkthehen sidomos për shkenca të natyrës dhe matematikës, tekstet të mos pilotohen”, thuhet në raportin e MASHT-it që e ka bërë në lidhje me rekomandimet nga këto takime.