Fjalë Kyçe

Ministri Aliu: duhet të ndalet zgjerimi urban i paplanifikuar, çdo vit po humbin një mijë hektar tokë bujqësore në Kosovë

Ministri Aliu: duhet të ndalet zgjerimi urban i paplanifikuar, çdo vit po humbin një mijë hektar tokë bujqësore në Kosovë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka mbajtur tryezë me rastin e shënimit të 8 nëntorit Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve me temën: “Raporti Qytet – Fshat”.

Ministri Liburn Aliu tha se duhet të ndalet zgjerimi urban i paplanifikuar, duke shtuar se ka nevojë për planifikim që të mbahet nën kontroll zhvillimi urban.

“Raporti qytet-fshat vazhdon ende të jetë temë diskutimi. Duhet të ndalet zgjerimi urban edhe në zona rurale. Nëse kishim me pa gjendjen ekzistuese sot dhe qysh kemi zona të shpërndara zgjerim urban të parregullt kanë të drejtë të vënë kufi”.

“Zgjerimet urbane çfarë i shohim janë joefiçiente. Krejt ata banorë të ri nëpër zona periferike detyrohen të vijnë në qytet për shërbime të vetë me makina dhe bëjnë ngarkesa kudo. Përderisa zhvillimet urbane kanë qenë të orientuara ka profiti. Na kemi nevojë për planifikim të mjedisit, ekonomik qysh kemi me vu kontroll në zhvillimin urban”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Luan Nushi, drejtor i Institutit për Planifikim Hapësinor, tha se rreth 50 fshatra janë të zbrazëta, duke shtuar se këto vendbanime janë lënë anash.

“Sot është Dita botërore e qyteteve dhe ne si ministri e shënojmë këtë ditë me temën raportit qytet-fshat. Momentalisht fshati është lënë anash. Komunat me numër më të madh të fshatrave është Gjakova me 87”.

“Në Ligjin për planifikim zona rurale jepet si zonë e ulët e ndërtimit. Për zonën urbane që formon pjesën e një qyteti. 50 fshatra janë të zbrazëta. Njëri prej objektivave është konsolidimi i tokave bujqësore”.

Binak Beqaj, ligjërues në UBT, tha se kjo tematikë është çështje aktuale edhe për vendet e zhvilluara dhe se duhet që ta analizohet zhvillimi urban.

“Jemi dëshmitar të zhvillimeve aktuale që lidhet me zonat urbane. Raporti urban rural duhet të analizohet nga disa këndvështrime politik qeverisës, territorial hapësinor, ekonomik zhvillimor, hapësinor integrues dhe social shoqërorë. Ka fshatra që janë në zhdukje dhe ka edhe që janë shuar”, tha Beqaj.

Ndërkaq, Rudina Qerimi, nga GIZ tha se 1 000 hektarë tokë bujqësore humbin në vit, madje sipas saj, mungojnë politika që mund ta ngjallin jetën sociale në fshat.

“Projekti jonë ka filluar vitin 2017. Projektet kryesore janë 10 komuna partnere. Mungojnë politika të qarta që munden me ngjall jetën sociale në fshatra. Të gjitha fshatrat janë të braktisura. Ka humbje të vazhdueshme të tokës bujqësore”, përfundoi ajo.