Teodor Meleșcanu, ministër i jashtëm i Rumanisë e cila në gjashtë mujorin e parë të këtij viti po kryeson presidencën e BE’së ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë gëzon mbështetjen e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian dhe se të dy shtetet duhet të fokusohen që t’i tejkalojnë vështirësitë nëpër të cilat po kalohet, raporton Gazeta Express.
“Procesi që e përmendët ju ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe buron nga një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që është hartuar në vitin 2010. Ky dokument është sugjeruar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Prandaj, dialogu gëzon përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Teksti i rezolutës mirëpret gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta lehtësuar dialogun që ka për qëllim përparimin në rrugën drejt BE-së dhe përmirësimin e jetës së njerëzve”, është deklaruar ministri i jashtëm i Rumanisë.
Tutje, ai për European Western Balkans ka shtuar se në bazë të rezolutës duhet të jetë edhe rezultati final i marrëveshjes.
“Sigurisht, rezultati ideal do të duhej të ishte në frymën e kësaj rezolute dhe në pajtim me të. Zbatimi i marrëveshjeve të arritura brenda kornizës së dialogut duhet të bëhet me konsistencë, mirëbesim dhe në atë mënyrë që të pasqyrohet në jetën e përditshme të banorëve të Kosovës”, ka shtuar Melescanu.
Liderët në Kosovë dhe Serbi sipas tij është jetike që të kontribuojnë për të arritur një rezultat të qëndrueshëm në mënyrë që të arrihet stabilitet në rajon.
“Në kohën kur dialogu po futet në vitin e tetë, ne mendojmë se është jetike që palët të fokusohen dhe të shfaqin vullnet politik në mënyrë që të tejkalohen vështirësitë dhe të arrihet një rezultat i qëndrueshëm, afatgjatë dhe i zbatueshëm, në vijë me aspiratat për jetë më të mirë të njerëzve që përfaqësohen nga tërë udhëheqësia në Beograd dhe Prishtinë. Një zgjidhje e tillë duhet ta zgjidhë problemin, të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe ta përforcojë sigurinë në tërë Ballkanin Perëndimor dhe të mos krijojë vështirësi”, ka përfunduar ai.