Fjalë Kyçe

Ministri i Shëndetësisë u premton kushte më të mira infermierëve

Ministri i Shëndetësisë u premton kushte më të mira infermierëve

Infermierëve në Kosovë duhet t’u rriten pagat, në mënyrë që ata të mos ikin në Gjermani e vende të tjera.

Kështu është thënë nga Oda e Infermierëve në Kosovë, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Infermierisë, nën moton ‘Nderojmë të kaluarën, ndërtojmë të ardhmen’, raporton KTV.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj, tha se infermierët kosovarë, jo vetëm në luftë, por gjatë tërë këtyre viteve, bënë më të mirën për të qenë afër pacientëve, edhe në kohën kur u dëbuan nga institucionet shëndetësore.

Ai shtoi se paslufta nuk i gjeti shumë dinjitetshëm infermierët dhe shpesh janë ballafaquar me anashkalimin dhe diskriminimin.

E, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se fakti që infermierët e Kosovës paraqesin një potencial të jashtëzakonshëm, bën që ata të kërkohen nga vendet e tjera.

Ai tha se institucionet do të punojnë më shumë, në mënyrë që e ardhmja e infermierëve të jetë në Kosovë.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, duke vlerësuar angazhimin e pashoq të infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, ka thënë se para dy dekadash, në ditët e luftës, ishin mantelbardhët ata që luftuan me vdekjen që i sfidonte luftëtarët e UÇK-së.