Ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa, sot është përballur me deputetët e Kuvendit të Kosovës, për raportim në Komisionin për Integrime Evropiane, për herë të parë.
I pyetur për rastin e vajzës nga Drenasi, ministri tha se e ka pranuar me shqetësim lajmin.
“Kam ftuar në takim të gjithë akterët, kemi kërkuar që procesi i hetimit të fillojë që në ditën e parë. Kam kërkuar të merren masa. Nuk besoj që qytetarët e Kosovës do ta humbim besimin në institucionin e policisë, por rasti në fjalë ndikon në kredibilitetin e policisë. Unë nuk mund të bëjë më shumë, pasi nuk dua që të ndërhyjë në hetime”, ka thënë Mustafa. Ai ka kërkuar të hetohet procedura e hetuesisë deri te momenti i tërheqjes së aktakuzës, por edhe i procesi i tërheqjes së saj.
“Të hetohet rasti i policit që është përfshirë në këtë aktakuzë. Nuk do të thotë se do përfundojë zinxhiri i hetimeve aty ku ka mbetur”, tha ministri Mustafa.
Deputeti nga radhët e NISMA Socialdemokrate Milaim Zeka tha se komisioni sot do duhej të mbahej pa prezencën e mediave, meqë sipas tij, kur janë mediat këtu bëhet më shumë spektakël.
Ai tha se i vjen turp që është deputet i Kuvendit të Kosovës, shkruan KP.
Sipas tij, askund nuk ka dëgjuar të mblidhet një parlament në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për rastin e abuzimit të të miturës.
“Me atë seancë të jashtëzakonshme Kuvendi ia ka qit faqen e zeze Kosovës, dhe policisë. Kemi mund të thërrasim seancë për të bërë debat për disa hetues”, tha deputeti Zeka, duke shtuar se është momenti të hapet vetingu.