Fjalë Kyçe

Ministri Vitia: 15 rasteve të dyshuara po u kryhen analizat, rezultatet dalin në orën 1 apo 2

Ministri Vitia: 15 rasteve të dyshuara po u kryhen analizat, rezultatet dalin në orën 1 apo 2

Sot është mbledhur Komisioni i Posaçëm për parandalimin e infektimit me koronavirus i cili është drejtuar nga Ministri i Shëndetësie, Arben Vitia.

Vitia ka propozuar që Komisionit t’i shtohet edhe ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku, një anëtar i këshillit të sigurisë, një përfaqësues nga klinika infektive dhe një nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ai tutje ka thënë se kërkojnë që mjetet e kërkuar që të ndahen sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Ministri ka treguar se sot ka takuar krerët e bashkësive fetare me të cilët kanë bashkërenduar veprimet.

“Për informacion, sot kam pasur takime me krerët e bashkësive fetare, me të cilët jemi koordinuar që përmes mesazhit që dërgojnë ata të jemi të koordinuar me masat që ka paraparë qeveria. Ata janë mirë të informuar dhe qysh nesër do të fillojnë me masat e rekomanduara nga qeveria”, ka thënë Ministri Vitia, raporton Gazeta Express.

Vitia ka thënë se ka marrë raportin rreth gjendjes me me koronavirus. Deri tash ai ka thënë se janë testuar 93 mostra dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

“Nga data o8-13 mars janë testuar 93 mostra, dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, ka thënë Vitia.

Ndërkohë ka treguar se tashmë janë duke iu kryer analizat 15 rasteve të dyshuara dhe se analizat pritet të dalin sot në orën 1 apo 2.

“Me 13 mars kemi marrë informacione Klinika Infektive edhe për 15 raste të dyshuara. Pacientët janë marrë mostrat dhe po presim që rreth orës 13 apo 14 të dalin rezultatet, për të cilat do të njoftoheni”, ka thënë Vitia.

Tutje ai ka treguar se në aeroporte dhe pika kufitare janë testuar mbi 5 mijë udhëtarë.

Ndërkohë ka potencuar për respektim strikt të rekomandimeve meqë ka informacione se vendet e tjera të Evropës dhe Britania e Madhe mund të përballen me situatën me të cilën po përballet Italia.

Vitia ka rekomanduar larjen të shpeshtë të duarve, shmangie e kontakteve me duar, puthje apo përqafime, ushqim të shëndetshëm, pirje të ujit etj./GazetaExpress/