Fjalë Kyçe

Ministria e Arsimit propozon pagesë avancë për mësimdhënësit që i zëvendësojnë orët e humbura

Ministria e Arsimit propozon pagesë avancë për mësimdhënësit që i zëvendësojnë orët e humbura

Ministria e Arsimit i ka propozuar asaj të Financave që të shqyrtojë një metodë tjetër të pagesës për mësimdhënësit, që s’janë paguar për muajin shtator, për shkak të grevës. Sipas propozimit të ri, mësimdhënësit do të paguhen për orët që i zëvendësojnë. Pagesa është propozuar të bëhet avancë në tetor.

Sipas një komunikate të martën, MASHTI ka vendosur për zëvendësimin e orëve duke e ndryshuar kalendarin e vitit shkollor. Për këtë, kjo ministri ka propozuar që mësimdhënësit të paguhen avancë, që të mos mbesin pa para deri në fund të muajit tetor, kur edhe dalin pagat e reja.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e përkushtuar për zbatimin e Ligjit për Grevën, i cili përveç tjerash parasheh edhe pezullimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve nga kontrata e punës, përfshi edhe të drejtën e pagës për ditët e grevës. Megjithatë, duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor”, thuhet në njoftim.

Që nga 25 gushti deri më 1 tetor, punëtorët e arsimit dhe sektorëve tjerë publikë ishin në grevë në kërkim të 100 eurove shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga. Qeveria ua ofroi nga 50 në muaj sivjet, në kuadër të pakos për përballje të inflacionit. Grevistët pezulluan veprimin sindikal, pa marrëveshje me Qeverinë, deri në janar.

Qeveria ka bërë të ditur se punëtorët që ishin në grevë nuk do të paguhen. Pagat për shtator s’kanë dalë ende.