Fjalë Kyçe

Ministria e Kulturës për 10 ditë hap 15 konkurse pune

Ministria e Kulturës për 10 ditë hap 15 konkurse pune

Prishtinë, 11 shtator – Ministria e Kulturës i është kthyer zakonit të vjetër: punësimeve masive në prag të zgjedhjeve. Në dhjetë ditët e para të këtij muaji janë hapur 15 konkurse pune. E janë pranuar në punë 4 veta. Përderisa MKRS-ja pretendon se është duke vepruar në kuadër të ligjeve e rregulloreve në fuqi, partitë opozitare krejt këtë situatë e lidhin me punësimin e militantëve partiakë. Kjo s’është pozitive as sipas këndvështrimit të shoqërisë civile.

Në ditën e dytë të këtij muaji MKRS-ja ka hapur konkurs për dy zyrtarë të personelit e një zyrtar të lartë në këtë divizion. Dy ditë më vonë, listës së gjatë të konkurseve u janë shtuar një zyrtar i lartë i promovimit, dy zyrtarë ligjorë e një për arkiv. Në ditën e pesë të muajit, MKRS-ja ka vendosur ta bëjë me vozitës Galerinë Kombëtare të Kosovës. Po atë ditë, MKRS-ja ka llogaritur se i duhet edhe një zyrtar për shërbim të qytetarëve. Këtë do ta marrë me marrëveshje për Shërbime të Veçanta. Më pas ka qenë radha e konkursit për zyrtar për biblioteka. Një zyrtar për sport, një tjetër për integrime evropiane e një tjetër për financa janë duke u kërkuar që nga dita e martë. Listës së konkurseve të së martës i janë shtuar edhe ai për një historian në Qendrën për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, që do të angazhohet me MShV e po në këtë formë do të angazhohet edhe një shofer në Qendrën për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.

Në anën tjetër janë katër zyrtarë që gjatë këtij muaji janë pranuar në punë. Bëhet fjalë për një inspektor në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, një arkitekte po në këtë qytet e zyrave të MKRS-së në Prizren, u janë shtuar edhe një asistente administrative e një zyrtar ligjor. Edhe muajin e kaluar janë punësuar 4 veta. Për Ministrinë e Kulturës krejt ky është një proces normal.

Kujtim Gashi, ministër në detyrë i Kulturës, ka thënë se nuk bëhet fjalë për pozita shtesë, por për vende pune të parapara.