Fjalë Kyçe

Ministrja Haxhiu: Ka përfunduar koha e ndikimeve politike e klanore në Shërbimin Korrektues

Ministrja Haxhiu: Ka përfunduar koha e ndikimeve politike e klanore në Shërbimin Korrektues

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se ka përfunduar koha e ndikimeve politike e klanore në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Ajo me rastin e 22 vjetorit të themelimit të ShKK-së tha se ky institucione për disa vite u përball edhe me realizim të interesave klanore të cilat zbehën dhe njollosën imazhin e Shërbimi Korrektues.

“Shërbimi Korrektues në vitet që lamë pas ishte shndërruar apo ishte përballur edhe me disa probleme të theksuara, gjegjësisht realizim të interesave të ngushta klanore, politike, individuale të cilat për një kohë relativisht të gjatë e kanë dominuar këtë shërbim duke zbehur imazhin e tij e derisa pjesë, pjesë e kanë njollosur. Kjo pati ndikuar edhe në ulje të besimit të qytetarëve në kredibilitet dhe aftësinë e tij për të zbatuar misionin ligjor dhe kushtetues. Por, ne besojmë se kohërat e vështira të tranzicionit dhe paqëndrueshmërisë menaxheriale strukturore ku ndikimet politike kanë qenë të theksuara kanë përfunduar dhe është koha që Shërbimi Korrektues vërtet ta ketë dinjitetin e merituar”, theksoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë u shpreh se është vënë prioritet në këtë ministri avancimin e institucionit të Shërbimit Korrektues, pasi kështu sipas saj, mund të sigurohet trajtim i duhur për personat e privuar nga liria.

Haxhiu u shpreh se do të punojnë që të gradohen ata që e meritojnë, dhe të respektohen ata që japin kontribut në Shërbimin Korrektues të Kosovës.