Nuk është Florent Hadergjonaj, 24-vjeçari me kombësi shqiptare e origjinë kosovare, zotëria X i targetuar nga Igli Tare për Lazion e tij.
Mediat italiane kanë rrëzuar poshtë emrin e futbollistit që aktivizohet në Premier League me Huddersfield, si kandidat për të përforcuar ekipin italian në merkaton e qershorit, ndonëse profili i kosovarit që përfaqëson Zvicrën përputhej plotësisht me identikitin.
Florent Hadergjonaj numëron 20 ndeshje me Huddersfield në Premier League dhe kartoni i tij vlerësohet 7 milionë euro, që korrespondonte me profilin e famshëm të kandidatit për përforcimin e Lazio-s në qershor.
Gjithsesi, emri i futbollistit të përzgjedhur nga drejtuesi shqiptar i lazialëve, Tare, është një tjetër. Për më tepër që transaksioni do të lidhej me të paktën 8 milionët që do të gjeneroheshin nga Badelj, ndonëse vetë Tare mohon shitjen e tij.