Fjalë Kyçe

Mitrovica dhe “Qatar Charity” ndërtojnë 40 shtëpi, një shkollë, një xhami dhe katër lokale afariste

Mitrovica dhe “Qatar Charity” ndërtojnë 40 shtëpi, një shkollë, një xhami dhe katër lokale afariste

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në një takim përfaqësuesit e organizatës joqeveritare nga Katari “Qatar Charity”, me ç’rast kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi lidhur me projektin madhor për ndërtimin e lagjes “Frashër” në qytetin e Mitrovicës.

Gjatë këtij takimi kryetari Bahtiri së bashku me ambasadorin e shtetit të Katarit, Ali Bin Hamad Al Marri, kanë nënshkruar këtë marrëveshje bashkëfinancimi për zbatimin e projektit për ndërtimin e lagjes “Frashër” me sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh, thuhet në njoftimin e komunë së Mitrovicës.

Ky projekt parashihet të ketë 40 shtëpi për përfituesit me kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim, një shkollë, një shtëpi të shëndetit, katër lokale afariste, një objekt i destinuar për shfrytëzim nga Organizata “Qatar Charity” dhe një xhami.

Ndërsa Komuna e Mitrovicës në cilësinë e bashkëfinancuesit ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme me qëllim të ndërtimit të shtëpive për arsye humanitare si dhe do të marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje.