Jessica Porter ishte vetëm 11 vjeçe kur babai i saj i dashur, Allan, vdiq. Pavarësisht se ishte vetëm 32 vjeç, spitali në të cilin ai ishte trajtuar insistoi se ai vdiq nga një atak në zemër – një diagnozë e mbështetur nga një ekspertizë pas-vdekjes.
Por, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, familja e tij kurrë nuk e pranoi këtë dhe nisi një fushatë gati një dekade për të gjetur të vërtetën.
Dhe tani, nëntë vjet pas vdekjes së tij tragjike, një gjykatës ka vendosur se ai ka vdekur si rezultat i neglizhencës në spital dhe gjetjet e një ekspertize pas vdekjes, janë përmbysur në një hetim.
Si rezultat i fushatës së familjes së tij për drejtësi, tanimë do të shqyrtohen edhe vdekjet e 25 pacientëve të tjerë.
Veç kësaj, mjeku që ka kryer ekspertizën pas vdekjes është shkarkuar dhe është nisur një hetim i plotë.
Vajza e tij, Jessica dhe anëtarët e familjes u vlerësuan nga gjykatësi për “forcën” dhe “këmbënguljen” e tyre gjatë një beteje gati një dekadë për të vërtetën se si ai vdiq.
Ndryshe, Allan, nga Heywood, Greater Manchester, ishte ndarë nga gruaja e tij, Elaine, pak para vdekjes së tij.
Por ai ende kishte kontakt të rregullt me Jessica dhe vëllain e saj, Dale, tani 18 vjeç.
Allan kishte takuar një partnere të re dhe ajo ishte duke pritur fëmijën e tij.
Në janar 2010, Allan shkoi në Spitalin e Përgjithshëm të Fairfield në Bury, duke u ankuar për një dhimbje të rëndë.
Ai nuk ishte në gjendje të gëlltiste, kishte një temperaturë mbi 39° C dhe një normë pulsimi prej 140, por iu dha paracetamol dhe u dërgua në shtëpi me antibiotikë.
Rreth shtatë orë më vonë ai u rrëzua në shtëpi, i paaftë të merrte frymë.
Ai u shpall i vdekur pak pasi mbërriti në spital rreth orës 21.30. Ai ishte 32 vjeç.