Një marrëveshje është arritur mes mesfushorit kroat, Luka Modricit, dhe klubit të tij, Real Madridit, për ta rinovuar kontratën e futbollistit. Kjo kontratë e re do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021.
Me këtë marrëveshje të re, “Los Blancos” janë siguruar që fituesi i “Topit të Artë” do të jetë pjesë e skuadrës madrilene deri në moshën 36-vjeçare, si dhe i kanë dhënë fund spekulimeve për largimin e tij gjatë verës, transmeton Gazeta Express.
Përkundër që ka pasur shumë lajme për dëshirën e Interit për ta transferuar Modricin, largimi nga Santiago Bernabeu nuk i kishte shkuar asnjëherë në mend seriozisht futbollistit.
Kroati iu bashkua Real Madridit verën e vitit 2012, kur trajner i Real Madridit ishte Jose Mourinho. Transferimi i tij nuk kishte qenë aspak i lehtë pasi që drejtori i Tottenhamit, Daniel Levy, nuk dëshironte ta lejonte shitjen e kroatit.
Modricit iu nevojit mjaft shumë kohë për t’u përshtatur me skuadrën e tij të re, por në sezonin e tij të dytë me Real Madrid, ai u bë njëri ndër yjet e “Los Blancos”, të cilët e kanë treguar falënderimin e tyre duke ia ofruar një kontratë të re.
Sezoni i kaluar ishte më i miri në karrierën e Modricit dhe për paraqitjet e tij si me Real Madridit në Ligën e Kampionëve, si me Kroacinë në Kupën e Botës, ai u shpërblye me çmime nga UEFA, FIFA e France Football për lojtarin më të mirë të vitit