Fjalë Kyçe

Molliqaj i reagon kryetares së Speciales për sondazhin misterioz: Cila gjykatë në botë bën kësi matjesh?

Molliqaj i reagon kryetares së Speciales për sondazhin misterioz: Cila gjykatë në botë bën kësi matjesh?

Më herët u bë e ditur se Ekaterina Trendafilova, kryetarja e Gjykatës Speciale, ka anuluar vizitën e saj në Kosovë, vizitë kjo e cila ishte planifikuar të realizohet me 4 korrik.

Rreth kësaj ka reaguar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Molliqaj, anulimin e vizitës së Trendafilovas e ka lidhur me protestën e paralajmëruar ndaj saj.

Po ashtu, Molliqaj ka komentuar edhe deklaratën e kryetares së Speciales, e cila ka thënë se shumica e njerëzve në Kosovë besojnë që Gjykata Speciale do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, gjë për të cilën, Molliqaj, ka thënë se asnjë Gjykatë në botë nuk merret me matje të opinionit.

“Misioni znj. Trendafilova, mision i pamundur. Takimi u anulua, në ndërkohë që protesta ishte paralajmëruar. E si mos t’i lidhim këto të dyja kur znj. Trendafilova në intervistën e dhënë flet për sondazhe, matje të opinionin publik në relacion me imazhin e Gjykatës Speciale? Cila gjykatë, diku në botë, merret me matje të opinionit publik? Nëse mbështetja nuk mungon, çka është tërë ky investim në imazh?”, ka thënë Molliqaj.

Tutje, i pari i PSD-së ka shtuar se, arbitrariteti që ushtrohet nga kjo gjykatë mund të ushtrohet në gjykatore, por kur zbret në terren, prej nga ku ka dalë UÇK-ja, situata ndryshon.

“Është evidente frika nga ballafaqimi. Frika se mos kjo gjykatë po zhvishet nga pretendimet për drejtësi, edhe ashtu të sforcuara. Arbitrariteti që ushtrohet nga kjo gjykatë e mbivendosur mund të ushtrohet në ato gjykatore pa simbole të shtetit të Kosovës, por kur zbret në terren, prej nga ka dalur UÇK, situata ndryshon. Mbështetja mungon. Organizimi për kundërshtim vazhdon”, ka përfunduar Molliqaj.