Fjalë Kyçe

Molliqaj: Konjufca ka treguar me detaje për angazhimin e tij në SHIK

Molliqaj: Konjufca ka treguar me detaje për angazhimin e tij në SHIK

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka këmbëngulur në vërtetësinë e pohimit të tij se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Molliqaj ka thënë në KTV se Konjufca ka treguar vetë detaje rreth angazhimit të supozuar të tij në këtë organizëm.

Ai ka përsëritur deklaratën e tij se Konjufca është angazhuar në SHIK nga Fadil Lepaja.

“Lepaja është burri i hallës së Glaukut, dhe ka treguar se ai e ka angazhuar”, ka thënë Molliqaj, sipas të cilit Konjufca merrej me përpunim të dhënash që vinin nga Lugina e Preshevës.

“Tregonte për letrat që i sillnin njerëzit nga terreni”, ka shtuar Molliqaj.

“Tallej me gabimet drejtshkrimore. Thoshte se kishte shumë probleme për t’i daktilografuar, se nuk kuptoheshin”, ka thënë deputeti i PSD’së, që dikur bënte pjesë në të njëjtën parti me Konjufcën.

“Ka treguar me detaje. Pagën, se pse e ka lënë dhe pse ka shkuar në AAK”, ka deklaruar Molliqaj.

“I ka treguar në mënyrë miqësore, dhe për mua kjo s’ka përbërë problem”, është shprehur ai.

Molliqaj ka thënë se nuk arrin ta kuptojë se pse Konjufca po refuzon ta pranojë se ka qenë pjesë e SHIK’ut.