Fjalë Kyçe

Mori karrigen e spitalit dhe e dërgoi në ordinancë private

Mori karrigen e spitalit dhe e dërgoi në ordinancë private

Ka dështuar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në të cilën ishte paraparë të trajtohej marrëveshja për pranimin e fajësisë në mes të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe stomatologut të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF), në Prishtinë, Valdet Lajçi, i akuzuar për përvetësim në detyrë.

Të pranishëm ishin prokurori Rafet Halimi dhe i akuzuari Lajçi, por që ka munguar mbrojtësja e tij, avokatja Kosovare Kelmendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari, e njoftoi gjykatësen Violeta Namani dhe prokurorin Halimi se mbrojtësja e tij, nuk mund të merr pjesë në këtë seancë pasi ajo është në një udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Në rrethana të tilla, kjo seancë është shtyrë për 25 shtator 2019, në ora 9:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 korrik 2019, Valdet Lajçi akuzohet se më 17 prill 2015, në cilësinë e personit zyrtar si Shef i Njësisë së Shërbimit Stomatologjik në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka përvetësuar pasurinë, e cila iu është besuar për shkak të detyrës së tij.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Lajçi, nga punëtori Agim Thaqi ka kërkuar që një karrige stomatologjike ta hiqte nga QMF-ja, ku paraprakisht në prezencën e tij e  kishte thirrur në telefon Etrit Tahirin dhe e njofton se do ta sjell një karrige për disa ditë.

Në aktakuzë thuhet se më pas Agim Thaqi merr veturën e tij private të llojit “Pick-up” dhe së bashku me të akuzuarin e ngarkojnë në veturë, ndërsa Thaqi atë karrige e kishte dërguar te shtëpia e Tahirit në Matiqan.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pas dy javësh me kërkesën e të akuzuarit, Esat Tahiri dhe Agim Thaqi, atë karrige stomatologjike e kishin dërguar në ordinancën private të të akuzuarit “Viva Dent”, në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.