Fjalë Kyçe

MPJ deklarohet rreth tërheqjes së njohjeve

MPJ deklarohet rreth tërheqjes së njohjeve

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit, është deklaruar edhe një herë rreth debatit dhe propagandës që po bën në vazhdimësi shteti serb ndaj Kosovës, kinse disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai ka shpjeguar se tërheqja e njohjeve nga një shtet nuk mund të ndodh duke u bazuar në Konventën e Montevideos në lidhje me “Të drejtat dhe detyrimet e shteteve”.

Ai ka shpjeguar se Republika e Kosovës, ka 116 njohje dhe ato nuk mund të tërhiqen.
Çështja e zhvillimit të marrëdhënieve diplomatike me këto vende, është çështje e cila mund të ndryshojë.

“Është e thjeshtë, njohja mund të vijë si rezultat i vullnetit politik të një vendi, por në momentin e deklarimit ajo prodhon efekte juridike, jo vetëm mes vendeve që japin dhe e pranojnë njohjen, por edhe para ligjit ndërkombëtar. Në raport me ligjin ndërkombëtar, si kredenciale të subjektivitetit të saj, Republika e Kosovës ka pranuar 116 njohje, dhe ato nuk mund të tërhiqen. Çështja e zhvillimit të marrëdhënieve diplomatike me këto vende, është çështje e cila mund të ndryshojë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

Në lidhje me debatin në rritje për temën e njohjeve dhe propagandën e Serbisë duke shfrytëzuar konceptin e ashtuquajtur ‘çnjohje’, sikur e kam thënë, ky koncept, term, e akt, nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe si e tillë çnjohja mes shteteve nuk ekziston. Konventa e Montevideos e vitit 1933 në lidhje me të “Drejtat dhe Detyrime e Shteteve”, Artikulli 6-të i saj e thekson qartë që “Njohja e një shteti përgjithësisht nënkupton që shteti i cili e ka njohur një shtet e pranon personalitetin/subjektivitetin e tjetrit (shtet), me të gjitha të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara nga ligji ndërkombëtar. Njohja është e pakushtëzuar dhe e parevokueshme”, mbaron citati.

Është e qartë që ndonëse kjo Konventë nuk buron nga kontinenti evropian i cili konsiderohet djep i së drejtës ndërkombëtare, ajo përdorët gjerësisht si burim autentik i së drejtës ndërkombëtare, veçmas për faktin se i referohet qartë asaj se çfarë përbënë personalitetin/subjektivitetin e një shteti, sikurse janë popullata e përhershme, territori i definuar, qeveria apo kapaciteti për të hyrë në marrëdhënie me shtete tjera. Kushto që pretendon që njohja është akt politik, i ngatërron marrëdhëniet ndërkombëtare me ligjin, apo të drejtën ndërkombëtare. Kushto që pretendon që njohja është vetëm vullnet i brendshëm politik, i cili mund të ndërrojë nga stina në stinë, po ashtu i ngatërron marrëdhëniet diplomatike me ligjin ndërkombëtar.

Është e thjeshtë, njohja mund të vijë si rezultat i vullnetit politik të një vendi, por në momentin e deklarimit ajo prodhon efekte juridike, jo vetëm mes vendeve që japin dhe e pranojnë njohjen, por edhe para ligjit ndërkombëtar. Në raport me ligjin ndërkombëtar, si kredenciale të subjektivitetit të saj, Republika e Kosovës ka pranuar 116 njohje, dhe ato nuk mund të tërhiqen. Çështja e zhvillimit të marrëdhënieve diplomatike me këto vende, është çështje e cila mund të ndryshojë.