Fjalë Kyçe

MPJ: Kosova merr pjesë në takimin e Helsinkit

MPJ: Kosova merr pjesë në takimin e Helsinkit

Shefja në largim e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini ka ftuar zyrtarisht krerët e diplomacisë së Kosovës që të marrin pjesë në një takim joformal të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet në Helsinki.

Këshilltari i ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj i ka thënë lajmi.net se kanë marrë ftesë zyrtare nga BE-ja.

“Po kemi marrë ftesë dhe e konfirmojmë pjesëmarrjen. Takimi do të mbahet në fund të muajit gusht”, ka thënë Zyberaj.

Në këtë takim është raportuar se do të diskutohet si të ecet përpara në bashkëpunim rajonal.

Për këtë ftesë ka reaguar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. Ai ka thënë se Mogherini në fund të mandatit të saj po dëshiron të tregojë se bëri diçka për Kosovën, mirëpo sipas tij kjo nuk është e drejtë për Serbinë.

“Mogherini në momentet e fundit ka ndryshuar komplet konceptin dhe në takim do të jenë edhe shtetet partnere. Këtë e bën në fund të mandatit, vetëm që përfaqësuesit nga Prishtina të marrin pjesë”, deklaroi Daçiq.

Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se kjo ftesë është kundërshtuar nga Madridi zyrtar.