Fjalë Kyçe

Muja demanton Haradinajn: Importi nga Serbia, nga 15% në vitin 2017, ka rënë në 6.5% në vitin 2021

Muja demanton Haradinajn: Importi nga Serbia, nga 15% në vitin 2017, ka rënë në 6.5% në vitin 2021

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka reaguar ndaj një infografikë të publikuar sot nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes së cilës ka treguar se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit është rritur importi nga Serbia.

Muja, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se infografika e publikuar nga Haradinaj tregon mungesë të njohurive për ekonominë dhe numrat.

“Deputeti Haradinaj kishte publikuar sot një graf i cili në rastin më të mirë tregon mungesë të njohurive për ekonominë dhe numrat”, ka shkruar Muja.

Më tej ai ka thënë se “nga një lexim i shpejtë i statistikave të ofruara nga Doganat e Kosovës në të vërtetë rekordi i importeve nga Serbia ishte regjistruar në vitin 2017 në kohen e koalicionit PAN (Haradinaj II) me 449 milion euro apo 15% e te gjitha importeve të Kosovës”.

“Rreth 55 milion i importeve nga Serbia në vitin 2017 ishin energji elektrike. Në vitin 2021 partneri kryesor rajonal në shkëmbim tregtar është Shqipëria”.

Ai thotë se blerjet nga Serbia kanë rënë në 6.5% të vlerës së përgjithshme të importit të Kosovës.

“Nevojat për energji elektrike të Kosovës nuk mbulohen më nga Serbia si në kohen e PAN (55 milion euro ne vit) por nga Shqipëria, Danimarka dhe Maqedonia”, ka shkruar Muja, duke postuar edhe një infografikë.