Fjalë Kyçe

Murati e kritikon Kurtin për krahasimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi me serbët në Kosovë

Murati e kritikon Kurtin për krahasimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi me serbët në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, e ka konsideruar të çuditshëm kërkesën e kryeministrit Albin Kurti në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të vazhdimit të dialogut, lidhur me reciprocitetin.

Murati, përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka thënë se sipas pikës së tretë të Kurtit, Serbia aq mirë i trajton shqiptarët atje, sa që Kosova duhet ta marrë si model për trajtimin e serbëve në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

“Shumë i çuditshëm ky reciprociteti i kryeministri tonë (në pikën 3). Aq “mirë” i trajton Serbia shqiptarët, sa sipas tij pas njohjes reciproke do të merret modeli i saj për serbët në Kosovë”, deklaroi Murati.

“Ama në proces dialogimi nuk do të kërkohet reciprocitet në të drejta, që edhe shqiptarët në Kosovën Lindore të kenë diçka nga privilegjet kushtetuese e ligjore të cilat veç i ka pakica serbe. Jo, se po i bie që Serbia qenka modeli që duhet ndjekur”, përfundoi ai.

Në kërkesën e tretë të Kurtit drejtuar Serbisë, reciprociteti bilateral thuhet se është i nevojshëm për vazhdim dialogu.

“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, thuhet në kërkesë.