Fjalë Kyçe

Murati: Kushtetuta që buron nga Pakoja e Ahtisarit problem për funksionalizimin e shtetit

Murati: Kushtetuta që buron nga Pakoja e Ahtisarit problem për funksionalizimin e shtetit

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka vlerësuar se Kushtetuta e Kosovës që është produkt i Pakos së Ahtisaarit është një prej pengesave kryesore që Kosova të funksionalizohet si shtet.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Murati ka shkruar se në bazë të kësaj privilegjet të cilat iu kanë dhënë pakicës serbe, kanë bërë që në vazhdimësi edhe nën ndikimin e Beogradit zyrtar të shfrytëzohen për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës, shkruan Gazeta Alo.

Sipas tij, duke e vlerësuar këtë detyrë primare e politikës sonë do të duhej të ishte të gjente rrugën për ta ndryshuar këtë kushtetutë.

SPo, ka shtuar se Kushtetuta nuk duhet të negociohet me Serbinë, por si produkt i negociatave dhe marrëveshjes, ajo duhet të ndryshohet, nëse duam të kemi një shtet normal që nuk do të merret me tema të njëjta edhe 20 a 30 vitet e ardhshme.

Postimi i tij i plotë:

Ndryshim e jo betonizim i Kushtetutës së Kosovës

Kushtetuta e Kosovës që është produkt i Pakos së Ahtisaarit është një prej pengesave kryesore që Kosova të funksionalizohet si shtet. Privilegjet të cilat iu kanë dhënë pakicës serbe, kanë bërë që në vazhdimësi edhe nën ndikimin e Beogradit zyrtar të shfrytëzohen për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës.

Andaj detyrë primare e politikës sonë do të duhej të ishte të gjente rrugën për ta ndryshuar këtë kushtetutë. Bisedimet me Serbinë, janë një mundësi për të hapur rrugën që Kosova të vendoste vetë se çfarë kushtetute do të ketë pa kufizimet e tanishme. Në këto bisedime nuk duhet futur me gjithë ato kufizime sa ka vendosur rezoluta dhe draft platforma për dialog, por mbi të gjitha do të lihej hapur edhe mundësia e ripërcaktimit të kufijve në mënyrë që pjesa shqiptare e Kosovës Lindore t’i bashkëngjitet Kosovës dhe tri komunat veriore pa shtatë fshatrat shqiptare t’i bashkëngjiten Serbisë.

Në draft platformën e dal në opinion për çështjen e kushtetutës thuhet:

“Kushtetuta e Kosovës e cila përfshin obligimet e dala nga Plani i Ahtisaarit nuk është e hapur për negocim.”

Sigurisht Kushtetuta nuk duhet të negociohet me Serbinë, por si produkt i negociatave dhe marrëveshjes, ajo duhet të ndryshohet, nëse duam të kemi një shtet normal që nuk do të merret me tema të njëjta edhe 20 a 30 vitet e ardhshme. Pa ndryshime kushtetuese, pa guximin për t’u futur në negocim për ripërcaktim të kufijve me Serbinë ne do të sillemi në rrethin vicioz i cili do ta dëmtojë më së shumti Kosovën me ngecje në zhvillim por edhe interesat vitale të popullit shqiptar qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë në Kosovën Lindore.

Dhe gjithashtu në këtë grumbull kushtëzimesh që janë vendosur në rezolutë dhe në draf-platformë, një gjë e kam të paqartë, pse është paraparë që në fund të ketë referendum. Referendum duhet të ketë vetëm kur marrëveshja tejkalon Kushtetutën dhe kornizën ligjore aktuale, por është i pakuptimtë me gjithë ato kushtëzime që lidhen me respektimin e Kushtetutës. Apo mos edhe këta që i kanë shkruar këto dokumente nuk po i besojnë gjithë këtyre që kanë shkruar?!/Gazeta Alo/