Fjalë Kyçe

Murati: Nga muaji i ardhshëm zgjerohet skema për shtesat për fëmijë

Murati: Nga muaji i ardhshëm zgjerohet skema për shtesat për fëmijë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur populizëm dhe demagogji iniciativën e opozitës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Në seancën ku po shqyrtohet projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit, Murati tha se ekonomistët e opozitës nuk po dinë ta argumentojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Ai paralajmëroi se me rishikimin e buxhetit që ka ndodhur sot për Ministri të Financave, nga muaj i ardhshëm zgjerohet skema e shtesave për fëmijë.

“Njëri nga këto rreziqe është, është edhe ky populizimi dhe demagogjia. Sepse për të qenë demagog nuk je i kufizuar nga faktet e argumentet, por vetëm në apel drejt impulsit dhe emocionit të audiencës. Qysh atëherë e ka sqaruar Platoni që normalisht që kjo mund të përbëjë rrezik për demokracinë, mirëpo qytetari ka avancuar… Është vetëm një tendencë e populizmit, disa këtu janë edhe ekonomistë dhe ishte dashur ta dinë. Deri tash çka dëgjova, është se një mjek nga GP i Vetëvendosjes pati argumente shumë më të qëndrueshme për ekonominë se sa ekonomistët e opozitës. Nuk e di a me të vërtet mendoni kështu si po flisni apo e keni vetëm për një grusht vota”, tha ai.

Me rishikimin e buxhetit, Murati tha se tani ka mjete të mjaftueshme që të zgjerohet skema për shtesat e fëmijëve.

“Meqenëse sot kaloi edhe rishikimi buxhetit, kam kënaqësinë t’ju njoftoj edhe qytetarët që për shkak të kalimit të rishikimit, tani do të kemi mundësi që prej muajt të ardhshëm të fillojmë me zgjerimin e skemës për shtesat për fëmijë. Pra, nga muaj i ardhshëm do të fillojmë zgjerimin e skemës për shtesat për fëmijë, sepse tani me hyrjen në fuqi të rishikimit, kemi edhe fonde të mjaftueshme”, tha Murati.

Aktualisht fëmijët e lindur pas vitit 2015 i marrin nga 10 euro në muaj, ndërkaq ata që kanë lindur në dy vitet e fundit i marrin nga 20 euro.