Kampionati Botëror do të jetë i mbushur me yje, të cilët do t’i përfaqësojnë shtetet përkatëse në “Katar 2022”, i cili do të mbahet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor.
Mirëpo, në evenimentin më të rëndësishëm të futbollit në planetin tonë do të mungojnë shumë yje të klasit botëror, për shkaqe të ndryshme, qoftë për arsye të lëndimit, që nuk janë ftuar nga Kombëtaret përkatëse apo që Kombëtaret e tyre fatkeqësisht nuk kanë arritur të kualifikohen në këtë garë.
Natyrisht, lojtari më i madh i momentit që nuk do ta shohim në Katar do të jetë Erling Haaland, pasi Norvegjia nuk arriti ta priste biletën për këtë kompeticion, shkruan “Gazeta Express”.
Krahas tij, do të mungojë edhe shoku i Kombëtares, Martin Odegaard, që po shkëlqen me Arsenalin.
Në Botëror s’do ta shohim as Mohamed Salahun e Egjiptit, e as David Alaban e Austrisë.
Gjithashtu, në “Katar 2022” do të mungojë edhe Zlatan Ibrahimovic i Suedisë, apo edhe portieri Jan Oblak i Sllovenisë.
Janë edhe shumë lojtarë të njohur në vitet e fundit, që s’do të jenë pjesë e Botërorit.
James Rodriguez, Luid Diaz, Radamel Falcao e Juan Cuadrado të Kolumbisë, Riyad Mahrez i Algjerisë, Marco Verratti e Gianluigi Donnarumma, që janë kampionë evropianë me Italinë, apo edhe Andy Robertson e Scott McTominay të Skocisë.
E në mesin e yjeve që s’do t’i shohim në Kupën e Botës, mediumi i njohur “ESPN” e ka përfshirë edhe Vedat Muriqin, i cili po shkëlqen në La Liga me Mallorcan, por që fatkeqësisht Kosova nuk arriti ta siguronte kualifikimin në këtë garë madhështore, përcjell “Gazeta Express”.
Ky medium i ka përmendur edhe shumë lojtarë të tjerë në formë si Victor Osimhen, Wilfred Ndidi, Dejan Kulusevski, Alexander Isak Emil Forsberg, Victor Lindelof, Frank Kessie, Khvicha Kvaratskhelia, Giorgi Mamardashvili, Alexis Sánchez, Claudio Bravo, Arturo Vidal, Pierre Emerick Aubameyang, Miguel Almirón, Leon Bailey, Michail Antonio, Oleksandr Zinchenko, Mykhaylo Mudryk, Stefan Savic, Stevan Jovetic, Hakan Calhanoglu, Cengiz Under etj., të cilët po ashtu do t’ju duhet ta përcjellin Botërorin veç përmes televizorit, apo nëpërmjet tribunave të stadiumeve në Katar.