Fjalë Kyçe

Musliu: Pas debatit me Konjufcën, militantët e VV-së më kërcënuan me prerje të kokës

Musliu: Pas debatit me Konjufcën, militantët e VV-së më kërcënuan me prerje të kokës

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se pati kërcënime të ndryshme, deri te ato me prerje të kokës, nga militantët e Lëvizjes Vetëvendosje pas debatit që pati me kryeparlamentarin Glauk Konjufca gjatë diskutimin për 100-ditëshit e Qeverisë.

Musliu tutje tregon se rastin e ka denoncuar në Polici, duke theksuar se beson fort në institucionet e Kosovës.

‘’Duke ju falënderuar të gjithëve për kujdesin, dhe në pamundësi për t’iu kthyer përgjigje secilit veç e veç, iu konfirmoj se, pas seancës parlamentare ku po diskutohej për 100-ditëshin e Qeverisë dhe debatit tim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, nga militantët e VV-së kam marrë shumë kërcënime, duke filluar nga ato seksuale, vrasje e deri te prerja e kokës me sakicë. Rastet i kam denoncuar në Polici, pavarësisht a jemi në pushtet apo opozitë, unë besoj fort në institucionet e Kosovës dhe profesionalizmin e organeve të sigurisë’’, ka shkruar Musliu në Facebook.

Deputetja e PDK-së konfirmoi se një person është dërguar në mbajtje për 48 orë rreth këtyre kërcënimeve, ndërsa Policia i ka rekomanduar asaj disa masa, të cila tha se do t’i përfill me përpikëri.