Fjalë Kyçe

Musliu-Shoshi i reagon Gërvallës: Mos vajto, puno

Musliu-Shoshi i reagon Gërvallës: Mos vajto, puno

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës, e cila ka thënë se do të shfuqizojnë një nga një të gjitha vendimet e jashtëligjshme, duke kthyer kështu ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në këtë institucion.

Musliu-Shoshi përmes një shkrimi në rrjetin e saj social Facebook i ka reaguar Gërvallës duke i thënë të mos vajtoj por të punojë.

Ajo ka thënë se Gërvalla nuk mund të justifikoj dështimin në politikën e jashtme, skandalet, e mungesën e njohjeve të reja të vendit.

Sipas saj, postimi i fundit i ministres është tregues që deri më tani, “e gjithë çka është bërë nga MPJD nën lidershipin e saj, nuk kanë qenë reformat, por identifikimi i “kundërshtarëve” për t’i goditur ata më pas”.

Shkrimi i saj i plotë:

DONIKË, MOS VAJTO. PUNO!

Ta kam thënë gjithmonë – edhe në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë e edhe në seancat e Kuvendit – që çdo shkelje ligjore duhet të ndëshkohet dhe e ke pëkrahjen time të plotë.

Sidoqoftë, dështimin tënd në politikën e jashtme; skandalet e vazhdueshme, asnjë njohje e asnjë anëtarësim NUK mund ta justifikosh me një referat me anë të të cilit po paralajmëron spastrime politike brenda Shërbimit të Jashtëm, duke shkelur ligjet në fuqi e duke e de-funksionalizuar edhe më tej diplomacinë tonë.

Ndryshimet e brendshme është dashur të jenë të përfunduara deri më tani, e jo tek të fillojnë. Projektligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Projektligji për Shërbim të Jashtëm e ai për Disaporë është dashur të vie në Kuvend qershorin e kaluar, akoma s’kanë ardhur.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe ish-Ministria e Diasporës është dashur të jenë të fuzionuara deri më tani, por akoma s’ka as organogram të unifikuar.

Ambasadat është dashur të jenë të gjitha me titullarë dhe me diplomatë të tjerë për të garantuar mirëfunksionimin e tyre, e jo të lihen me staf esencial e në pamundësi për të kryer përfaqësim dinjitoz të vendit e as për të ofruar shërbime konsullore për qytetarët tanë e ata të huaj. Kjo bëhet më e pafalshme kur në këtë situatë, kanë ardhur ambasada si ajo në Uashington, Londër e Bruksel, kur e dijmë rëndësinë e këtyre misioneve. E mos ta harrojmë Ambasadën në Jerusalem, e cila është vetëm me të Ngarkuar me Punë – pa Ambasador/e e pa staf.

Ky postim i fundit i joti është tregues i qartë që deri më tani, e gjithë çka është bërë nga MPJD nën lidershipin tënd nuk kanë qenë reformat, por identifikimi i “kundërshtarëve” për t’i goditur ata më pas.

Pozita e shefes së diplomacisë nënkupton bërjen dhe udhëheqjen e politikës së jashtme të vendit, e jo mikromenaxhimin e brendshëm për të qëruar hesape me ata që mendojnë ndryshe./express