Fjalë Kyçe

Nagavci: Janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale të partive politike në arsim

Nagavci: Janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale të partive politike në arsim

Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë që gjendja aktuale në këtë sektor është si pasojë e ndërhyrjeve, të cilat i ka quajtur brutale, të partive politike gjatë 20 vjetëve të kaluara.

“Gjendja në arsim është larg rezultateve që të gjithë i synojmë dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht, nuk janë dy apo tri gjenerata të humbura por janë më shumë se dy dekada ndërhyrje brutale të partive politike në të gjitha nivelet e arsimit në përgjithësi. Këto ndërhyrje që përkundër përkushtimit të jashtëzakonshëm të shumë mësimdhënësve rezultatet të mos jenë ato që i dëshirojmë e të cilat i dimë të gjithë, andaj kjo është prioritet i qeverisë tonë. Unë ju lus të gjithëve që të reflektoni për të gjithë ndikimet që keni pasur në të kaluarën dhe të ndihmoni që me një kritikë konstruktive dhe një bashkëpunim të angazhohemi për të përmirësuar këto rezultate dhe të punojmë bashkë për të arritur këto po deklaroheni se i dëshironi”.

Nagavci ka bërë të ditur se nga 12 mijë e 109 testime të mësimdhënësve, 3 mijë e 365 kanë rezultuar të infektuar dhe derisa 29 mësimdhënës kanë vdekur. Pra një shkallë e infektimit të mësimdhënësve prej 15 për qind.

Ndërsa te nxënësit nga totali i 6 mijë e 653 nxënësve të testuar, sipas Nagavcit, 2 mijë e 652 kanë rezultuar të infektuar, apo 0.8 për qind si përqindje dhe nuk ka pasur asnjë nxënës të vdekur.

“Këto të dhëna na dëshmojnë edhe njëherë për menaxhimin relativisht të mirë të situatës nga komuniteti i shkollës krahasuar me ambientet, institucionet dhe profesionet tjera. Përhapja e pandemisë ka paraqitur sfida edhe në vendin tonë dhe kjo ka ndikuar edhe në procesin edukativo-arsimor”, ka thënë ajo.

Për t’iu përgjigjur kësaj situate, Nagavci ka thënë se janë ndërmarrë veprime konkrete në shumë dimensione që procesi edukativo-arsimor 2020/2021 të zhvillohet në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitet sipas kushteve në institucionet përkatëse.

“Disa nga veprimet që i kemi ndërmarrë janë hartimi i udhëzuesit të përgjithshëm të MASHT-it për organizimin e vitit të ri shkollor 2020/202, themelimi i task forcave në të gjitha nivelet, duke filluar në nivel shkolle, në nivel të drejtorive komunale të arsimit dhe në nivel të MASHTI-it. Është hartuar dhe aprovuar nga qeveria plani për E-mësimin dhe përgatitjet për ofrimin e mësimit në distancë për vitin shkollor 2020/2021, për zhvillimin e projektit E-mësimi është caktuar koordinatori i përgjithshëm, koordinatori i nivelit fillor, koordinatori i nivelit të arsimit të mesëm të ulët, mësimdhënësit, redaktorët, auditorët dhe lektorët për klasat 1 deri në 9. Janë hartuar planet mësimore për të gjitha lëndët e përfshira në E-mësim. Janë dezinfektuar shkollat dhe janë vendosur udhëzimet se si të sillemi në shkollë në kushte pandemie. Janë përgatitur materiale vetëdijësuese të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla. Janë zhvilluar disa platforma online, ndërkohë që ka filluar dhe po vazhdon xhirimi i njësive mësimore në gjuhën shqipe, turke, boshnjake dhe rome dhe të njëjtat transmetohen në televizionin publik të Kosovës dhe kanalin e ministrisë në Youtube”.