Fjalë Kyçe

Nagavci për pezullim nga puna të profesorit Krasniqi: Asnjë shkelje s’mbetet pa u ndëshkuar

Nagavci për pezullim nga puna të profesorit Krasniqi: Asnjë shkelje s’mbetet pa u ndëshkuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vendimit të Rektoratit dhe Këshillit të Etikës për pezullim nga puna të profesorit universitar Xhevat Krasniqi.

Duke e mirëpritur këtë vendim, Nagavci ka thënë se asnjë shkelje nuk mbetet pa u ndëshkuar në universitete.

“Ashtu siç jemi zotuar se për të gjitha sjelljet që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ, në veçanti rastet e ngacmimeve seksuale toleranca do të jetë zero! Mirëpres Vendimin e Këshillit të Etikës dhe atë të Rektorit të UP-së, Prof. dr. Qerim Qerimi. Organet përgjegjëse të Universitetit të Prishtinës, në funksion të autonomisë së tyre, e trajtuan dhe morën vendim për rastin e fundit, sepse qëllimi është i njëjtë, arsimi duhet të udhëhiqet nga kodi etikës dhe sjellja profesionale. E kundërta do të ndëshkohet gjithmonë! Shpresoj që edhe organet e hetuesisë të veprojnë me efikasitet në trajtimin e këtij rasti”, ka shkruar ajo në Facebook.

Nagavci ka bërë thirrje për të gjitha institucionet arsimore që të ndërmarrin hapa për të parandaluar shkeljet e kodit të etikës dhe të krijojnë mjedise të sigurta.

Universiteti i Prishtinës ka marrë vendim për ta pezulluar nga detyra profesorin e Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqin.